Edhe një aeroplanmbajtëse amerikane niset drejt Lindjes së Mesme: U përdor në operacionin e dështuar në Teheran më 1980

Një zyrtar amerikan, që nuk është emëruar, ka konfirmuar për Fox News se aeroplanmbajtësja USS Nimitz po lëviz nga Deti i Kinës Jugore drejt Lindjes së Mesme, pasi përplasja mes Izraelit dhe Iranit nuk po qetësohet.

Fillimisht ishte planifikuar që ajo të zëvendësonte aeroplanmbajtësen USS Carl Vinson, e cila prej disa muajsh ndodhet në rajonin e Lindjes së Mesme. Megjithatë, angazhimi i USS Nimitz-it në këtë zonë po ndodh më herët se planifikuar, kështu që në këtë moment në rajon do të jenë të pranishme dy aeroplanmbajtëse amerikane.

USS Nimitz është në shërbim që nga viti 1975 dhe është aeroplanmbajtësja më e vjetër aktive e Shteteve të Bashkuara. Ky lundrim ka gjasa të jetë i fundit për të, pasi është planifikuar të dalë jashtë shërbimit në vitin 2026.

Ajo ishte e dislokuar në Lindjen e Mesme edhe në vitin 1980, kur helikopterët e saj ishin pjesë e operacionit të dështuar amerikan “Kthetra e Shqiponjës” për shpëtimin e pengjeve nga Ambasada Amerikane në Teheran, shkruan Fox News.

Kategoritë
BotaLajme