E djathta ekstreme ka një objektiv të ri: Projekti i studimit të historisë së Kuranit në Evropë i financuar nga BE-ja

E djathta ekstreme evropiane ka gjetur një objektiv të ri për kritikat e saj – kësaj here në sferën akademike. Bëhet fjalë për një projekt evropian për Kuranin, i cili në Spanjë udhëhiqet nga historiania Mercedes García-Arenal dhe financohet nga Këshilli Evropian i Kërkimeve me 9.8 milionë euro.

Projekti ndërkombëtar EuQu, i koordinuar me studiues nga Franca, Danimarka dhe Italia, u miratua nga Këshilli Evropian i Kërkimeve në vitin 2018 dhe do të përfundojë në fund të këtij viti.

Pavarësisht natyrës së tij shkencore dhe historike, programi që studion përhapjen e Kuranit në Evropë gjatë mijëvjeçarit të fundit, si dhe përkthimin, përdorimin dhe studimin e tij, prej disa ditësh është nën sulm nga media dhe politikanë, kryesisht francezë, të cilët e akuzojnë për prozelitizëm islamik dhe lidhje me grupe fundamentaliste si Vëllazëria Myslimane; me etiketime si “islamizëm” dhe “islamofili” që, sipas tyre, minojnë vlerat evropiane.

Kritikat kanë krijuar një klimë frikësimi për studiuesit, të cilët denoncojnë këtë ofensivë politike ndaj lirisë akademike.

“Është një sulm i çuditshëm dhe pa baza. Asnjë nga këto media nuk është munduar të hulumtojë projektin, i cili nuk ka përmbajtje ideologjike, dhe aq më pak lidhje me të ashtuquajturën ‘Frero’ – një term që përdoret në Francë për të diskredituar njëfarë dashamirësie ndaj islamit – dhe as nuk kanë kontaktuar ndonjë nga pjesëmarrësit. Puna jonë i përket historisë intelektuale evropiane, jo fesë islame si objekt besimi,” thotë García-Arenal në zyrën e saj në CSIC në Madrid.

Ajo dhe studiues të tjerë të përfshirë në projekt i përjetojnë këto sulme me një përzierje shoku, zemërimi dhe dëshpërimi.

“Mohimi i lidhjeve me Vëllazërinë Myslimane në vetvete nënkupton pranimin e një kornize të çoroditur mendore, sepse në fakt kjo do të thoshte të vihej në dyshim vetë aktiviteti shkencor e kërkimor. Ky është një projekt që bashkoi ekipe nga disa vende dhe disiplina të ndryshme – histori intelektuale e kulturore, filologji dhe kodikologji. Qëllimi është historia evropiane, fetare dhe intelektuale,” sqaroi ajo.

Mercedes García-Arenal (Madrid, 75), arabiste dhe historiane e religjionit, është një nga studiueset më të njohura në Spanjë, dhe në vitin 2019 fitoi Çmimin Kombëtar për Kërkim. Së bashku me studiuesit kryesorë (Jan Loop nga Universiteti i Kopenhagës, Roberto Tottoli nga Universiteti i Napolit dhe John Tolan nga Universiteti i Nantës), në projekt morën pjesë edhe 45 doktorantë dhe post-doktorantë.

Në zyrën e saj plot me libra e dokumente, García-Arenal tregon me dorë mbi shpinat e librave të botuar si rezultat i projektit. Deri më tani janë botuar njëmbëdhjetë vëllime dhe deri në fund të vitit do të arrijnë në pesëmbëdhjetë.

Projekti përfshiu edhe ekspozita në Vjenë, Tunizi dhe Nantes, dhe më 11 qershor do të hapet një tjetër në Granada, me mbështetjen e universitetit lokal, në ambientet e Spitalit Mbretëror, e cila do të jetë e hapur deri në tetor. Por për shumëkënd, ky kuadër intelektual shihet si sulm ndaj thelbit të Evropës.

Sulmet filluan nga Florence Bergeaud-Blackler, antropologe franceze e njohur për qëndrimet e saj kundër Vëllazërisë Myslimane.

Ajo e kritikoi projektin në gazetën Le Figaro, duke përmendur edhe emrat e disa prej studiuesve kryesorë, sidomos John Tolanin, i cili u bë shënjestër e kritikave të shumta.

Disa politikanë francezë iu bashkuan kësaj fushate. Në Parlamentin Evropian u ngritën dy interpelanca – nga partia e Marine Le Pen dhe ajo e Matteo Salvinit në Itali – për projektin EuQu.

Tensionet u rritën më 21 maj, kur Benjamin Haddad, ministër francez për çështjet evropiane, deklaroi në radio: “Asnjë euro nga paratë publike të BE-së nuk duhet të shkojë për të financuar armiqtë e vlerave evropiane. Nuk mund të pranojmë që programet e financimit të shkojnë tek shoqata të lidhura me Vëllazërinë Myslimane apo antisemitizmin.”

Disa media konservatore si Le Journal du Dimanche dhe Le Figaro i bashkuan zërat duke përdorur tituj si: “Antisemitizëm, islamizëm: Franca dënon subvencionet e BE-së për entitete ‘armiqësore’ ndaj vlerave evropiane”.

Edhe mediat spanjolle kanë kritikuar projektin, duke e quajtur në disa raste antisemitik.

“Imagjinoj se në logjikën e tyre, nëse studion Kuranin je antisemit,” thotë García-Arenal duke ngritur supet.

Ajo ia atribuon këtë klimë dy faktorëve: atmosferës politike franceze, me islamofobinë dhe “luftën kulturore”, dhe ndikimit të lëvizjeve trumpiste që synojnë të kufizojnë lirinë akademike dhe nxisin të djathtën ekstreme evropiane.

Puna tashmë është pothuajse përfunduar: pjesa e mbetur e vëllimeve do të botohet deri në dhjetor dhe fondet janë shpenzuar. Por për studiuesit e rinj, që do të kërkojnë punë pas mbylljes së projektit, këto sulme mund të paraqesin vështirësi.

“Ky është një paralajmërim për të ardhmen. Qëllimi është të bëhet presion mbi ata që vendosin për financime të tilla, si dhe t’i demoralizojë vetë studiuesit. Është frikësuese. Askush nuk dëshiron të shohë foton e tij nëpër media, apo të përballet me shpifje dhe akuza të rënda. Ne akademikët nuk jemi mësuar me këtë – jetojmë mes librave, punojmë në bibliotekë dhe nuk kemi as vullnetin e as përgatitjen për të hyrë në debatet politike të kësaj natyre,” përfundon ajo.

“Kur themi se Kurani është pjesë e historisë intelektuale evropiane, nënkuptojmë se historia është ndërtim kompleks,” shpjegon Fernando Rodríguez Mediano, një nga studiuesit pjesëmarrës në projekt.

“Na shqetëson fakti që ajo çfarë zbulojmë përmes punës sonë është pikërisht kompleksiteti i historisë evropiane. Një ditë shkruaj për një jezuit të shekullit XVII (Tomás de León), që mblidhte përkthime të Kuranit, dhe ditën tjetër më quajnë terrorist të rrezikshëm, ndërsa një ministër francez më akuzon se po sulmoj të drejtat e njeriut. Është absurde. Po të ishte një projekt për helenizmin apo Biblën, askush nuk do të shqetësohej,” thotë Rodríguez, duke shtuar: “E gjithë kjo nisi me një manipulim, e përforcuar nga media ekstremiste, dhe më pas e përdorën vetë politikanët. Dhe më qesharakja është se të gjithë pranojnë që nuk e kanë lexuar projektin.”

Ka pasur edhe tërheqje: Biblioteka Britanike, Biblioteka Kombëtare dhe Casa Árabe pranuan të organizojnë ekspozita rreth projektit, por më pas u tërhoqën, duke përmendur shqetësime për sigurinë ndaj sulmeve të mundshme nga radikalët islamikë që pretendojnë keqpërdorim të Kuranit.

Me fjalë të tjera, García-Arenal dhe projekti janë kapur mes dy fronteve.

“Kjo nuk është as lavdërim e as përvetësim i islamit – është histori evropiane që përpiqet të ndriçojë çarje të saj, siç është rasti kur protestantët dhe katolikët përdorën Kuranin kundër njëri-tjetrit. Po përballemi me kufirin e lirisë së shprehjes dhe asaj akademike. E kanë kthyer historinë në emocion politik – dhe kjo është e rrezikshme. E para gjë që synon njohuria populiste është të shkatërrojë historinë për ta risjellë sipas interesave të veta. Ne nuk mund të lejojmë këtë gjë,” përfundon Rodríguez.

Si García-Arenal ashtu edhe Rodríguez theksojnë se këto sulme nuk e kanë lëkundur solidaritetin. Ekipi është më i vendosur se kurrë për ta çuar punën deri në fund. Universiteti i Nantës i ka premtuar John Tolanit mbështetje në çdo ankesë ligjore që ai mund të ngrejë ndaj mediave dhe politikanëve.

Në mbrojtje të projektit, në një letër të hapur janë bashkuar 92 akademikë të njohur.

“Jo vetëm që nuk jemi kundër vlerave evropiane – përkundrazi, vetë mënyra se si Evropa i ka përballuar problemet e saj ka qenë përmes krijimit të dijes. Kjo është një vlerë evropiane,” thotë García-Arenal, duke mbyllur me një pyetje retorike: “A do të quhej një projekt për mitet greke përpjekje për të promovuar kultin e Zeusit?” – Por në këtë botë, kurrë nuk i dihet.

Kategoritë
BotaLajme