Dyshimet për lidhje me Rusinë dëmtojnë kthimin e mundshëm të udhëheqësit separatist katalanas në Spanjë

Partia e udhëheqësit separatist katalanas Carles Puigdemont arriti një rezultat të mirë në zgjedhjet e majit, duke marrë vetëm disa vende më pak nga sa nevojiten për të patur shumicën në parlamentin rajonal të Katalonjës. Partia tani është në bisedime për të formuar një qeveri koalicioni.

Megjithatë, zoti Puigdemont, që tani jeton në Francë, nuk ka gjasa të kthehet në Spanjë, ku po hetohet mbi dyshimet për kontakte me Moskën për një komplot, në bazë të cilit Kremlini të njihte shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Katalonjës.

Hetimi pason investigimet e gazetarëve, përfshirë gazetarin Jesús Albalat, i cili zbuloi vizitën e zyrtarit më të lartë për çështjet e jashtme të partisë së zotit Puigdemont në Moskë, për takime me njerëz të afërt me Presidentin rus Putin.

Gazetari Albalat mori informacion edhe mbi vizitat e agjentëve të Drejtorisë së Shërbimit të Zbulimit të Rusisë në Katalonjë, ndërsa përgatitej shpallja e pavarësisë në vitin 2017.

Një sërë agjentësh të shërbimit rus të zbulimit ushtarak, GRU erdhën këtu në Katalonjë. Mes tyre edhe agjenti i njohur me pseudonimin Fedotov i cili dyshohet se mori pjesë në përpjekjet për të helmuar ish-agjentin rus të, Skripal në Londër”, shprehet Jesús Albalat, gazetar investigativ, gazeta “El Periódico”.

Ish-spiuni rus Sergei Skripal pothuajse vdiq në 2018 pas helmimit nga një agjent nervor që prodhohet nga qeveria ruse.

Partia politike e zotit Carles Puigdemont, “Bashkë për Katalonjën”, nuk pranoi të komentonte për Zërin e Amerikës mbi këto akuza, por disa vëzhgues kritikë ndaj separatizmit katalanas besojnë se Moska po bën përpjekje për të nxitur tensionet.

“Kremlini vëzhgon dhe sheh se në krahun jugor të NATO-s ka një problem edhe në Spanjë, e cila është një nga vendet e rëndësishme në aspektin gjeopolitik. Dhe nëse synimi është dobësimi i Bashkimit Evropian, Katalonja është terreni i përsosur për këtë”, shprehet analisti politik, Gabriel Colomé García.

Pas sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës, vendet evropiane e shohin me dyshim çdo afrim me Kremlinin.

Lëvizja separatiste e Katalonjës nuk fitoi zgjedhjet e majit, por mbetet e rëndësishme në shoqërinë katalanase.

Nëse Rusia u përpoq ta përdorte atë për të shkaktuar paqëndrueshmëri në Bashkimin Evropian, është një çështje që shumë besojnë se do të bëhet më e qartë kur hetuesit të bëjnë publike të dhënat që kanë gjetur, për çka mund të nevojiten muaj ose vite të tëra.

Kategoritë
BotaLajme