“Duhet të nxitojmë” Escobar komenton deklaratat se Qeveria do të përgatis draft- statut për Asociacionin

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka komentuar deklaratat  e qeveritarëve dhe të  Kryeparlamentarit Konjufca se Qeveria e Kosovës do ta përgatit një draft -statuti pasi propozimi evropian është i papranueshëm dhe se BE nuk ka kompetencë t’I propozojë Kosovës dicka të tillë. Në intervistën për REL, Escobar ka thënë se nuk ka informacione nëse Qeveria është duke e përgatiru një, por ka theksuar se duhet nxituar.

Do të kthehesha te draft-statuti i Asociacionit. E kemi në tavolinë draft-statutin. Nuk është dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Kryeparlamentari [Glauk Konjufca], madje, tha se ka mundësi të propozohet një draft-statut i ri nga vetë Qeveria. Duke pasur parasysh se nuk keni marrë asnjë garanci për draft-statutin ose të paktën ka deklarata për një draft-statut të ri, a po dështon Marrëveshja e Ohrit?

Gabriel Escobar: Jo, nuk po dështon. Është e pazbatuar. Por, unë mendoj se Ohri hap një mundësi të madhe për Kosovën. Tani në kuadër të [ Marrëveshjes] të Ohrit, 90 për qind e përfitimeve shkojnë për Kosovën. Nëntëdhjetë për qind. Do të thosha edhe më shumë.

Pra, me Marrëveshjen e Ohrit, Serbisë i kërkohet të njohë sovranitetin e Kosovës, integritetin e saj territorial, kontrollin e saj administrativ mbi veriun

Ata njohin pasaportat, simbolet kombëtare, flamujt, kartat e identitetit, diplomat, targat, pothuajse çdo gjë tjetër.

Dhe, nga Serbia kërkohet që të mos e bllokojë integrimin evropian të Kosovës në asnjë institucion.

Në këmbim, Kosova duhet ta formojë Asociacionin, që është obligim ligjor ekzistues.

Pra, për çmimin e diçkaje që duhet ta kishin bërë, ata marrin të gjitha përfitimet dhe kjo na jep neve, Shteteve të Bashkuara, një platformë për ta ndjekur për njohje të reja jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën.

A ka vend për një draft-statut të ri?

Gabriel Escobar: Epo ka, por duhet të nxitojmë. Dua të them, ka pasur gjithmonë.

Dhe, një pjesë e arsyes përse ndërmjetësuesi evropian u dha atyre një draft-statut, ishte sepse ata nuk e kishin përgatitur një të tillë. Pra, ne kemi prodhuar një për ta.

Kështu, nëse nuk u pëlqen, duhet ta bëjnë [një tjetër]. Por, duhet të ketë një draft-statut.

A keni ndonjë informacion nëse Qeveria po punon në të?

Gabriel Escobar: Besoj se jo.

Kategoritë
LajmeVendi