Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse do të sulmojë apo jo Iranin, duke theksuar se nuk dëshiron të përfshihet në një konflikt në Lindjen e Mesme.
Përplasjet midis Izraelit dhe Iranit vazhdojnë.
Irani iu përgjigj sulmeve të Izraelit gjatë ditës duke lëshuar raketën “Khorramshahr”.
Trump, gjatë pritjes së ekipit të Juventusit në Zyrën Ovale, komentoi mbi tensionet Izrael-Iran.
Duke iu referuar ditës së sulmit të Izraelit ndaj Iranit, Trump tha se ishte një natë intensive dhe shkatërruese dhe se përplasjet më pas u përshkallëzuan.
“NUK DUA TË PËRFSHIHEM NË KONFLIKT”
Lidhur me një sulm të mundshëm ndaj Iranit, Trump u shpreh: “Kam disa ide për çfarë do të bëj, por ende nuk kam marrë një vendim përfundimtar. Dua ta marr vendimin final në sekondën e fundit, sepse në luftë gjithçka mund të ndryshojë.”
Sa i përket përfshirjes së SHBA-së në një konflikt në Lindjen e Mesme, Trump tha prerazi: “Unë nuk dua të përfshihem.”
Ai theksoi se po e ndjekin nga afër situatën dhe shtoi se zyrtarët iranianë kishin kërkuar të vinin në Shtëpinë e Bardhë për t’u takuar me të, por sipas tij, “Tani është shumë vonë. Irani do të dëshironte ta kishte nënshkruar atë marrëveshje. Atëherë ishte një marrëveshje e drejtë, por tani është më e vështirë për t’u nënshkruar,” u shpreh Trump.
Megjithatë, ai shtoi se dera për vizitën e zyrtarëve iranianë në Shtëpinë e Bardhë mbetet ende e hapur.
“DUAM FITORE TË PLOTË DHE TË SIGURT”
Duke pretenduar se Irani është vetëm disa javë larg arritjes së armëve bërthamore, Trump ritheksoi se Irani “kurrë nuk duhet të ketë armë bërthamore.” Ai përfundoi: “Ne nuk kërkojmë një armëpushim, por një fitore të plotë dhe të sigurt. Fitore do të thotë: asnjë armë bërthamore.”