Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka hedhur poshtë pretendimet se administrata e tij po shqyrtonte dhënien e një ndihme financiare prej 30 miliardë dollarësh për Iranin, me qëllim kthimin e këtij të fundit në tryezën e bisedimeve.
Shtimi i tensioneve në Lindjen e Mesme
Përplasjet mes Izraelit dhe Iranit kanë rritur ndjeshëm tensionet në Lindjen e Mesme. Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në konflikt duke goditur tre objekte bërthamore iraniane. Sipas deklaratës nga Shtëpia e Bardhë, këto sulme kanë “shkatërruar plotësisht përparimin bërthamor të Iranit”.
Media amerikane: SHBA do të ofrojë stimuj ekonomikë
Në një raport të publikuar nga NBC News, duke u mbështetur në tri burime të afërta me çështjen, thuhet se administrata e Trump kishte shqyrtuar ofrimin e stimujve ekonomikë për Iranin në këmbim të ndalimit të pasurimit të uraniumit. Ndër opsionet e përmendura ishin lirimi i pasurive të ngrira iraniane dhe dhënia e ndihmës teknike për zhvillimin e një programi civil bërthamor – gjë që do t’i mundësonte Teheranit akses deri në 30 miliardë dollarë.
Trump mohon kategorikisht
Në një reagim përmes platformës Truth Social, Trump hodhi poshtë kategorikisht këto pretendime, duke i cilësuar si “të rreme dhe të fabrikuara”. Ai shkroi:
“Cila media e rreme ka guxuar të pretendojë se ‘Presidenti Trump dëshiron t’i japë Iranit 30 miliardë dollarë për të ndërtuar objekte bërthamore me përdorim jo-ushtarak?’ Këto janë gënjeshtra të pastra.”
Me këtë reagim të prerë, Trump ka përgënjeshtruar raportet se SHBA do të mund të ndihmonte Iranin financiarisht për zhvillimin e programeve të tij bërthamore, edhe nëse ato do të ishin për qëllime civile.