“Dhuna ndaj grave, keqtrajtimi i migrantëve dhe racizmi janë probleme të përhapura në Evropë”

Sipas Raportit të të Drejtave Themelore të FRA-së të publikuar sot, keqtrajtimi i migrantëve në disa vende evropiane ka vazhduar gjatë gjithë vitit 2024

Agjencia e të Drejtave Themelore (FRA) e Bashkimit Evropian (BE) ka paralajmëruar se kërcënimet ndaj demokracisë, dhuna ndaj grave, keqtrajtimi i migrantëve dhe racizmi janë probleme të përhapura në Evropë, transmeton Anadolu.

Sipas Raportit të të Drejtave Themelore të FRA-së të publikuar sot, keqtrajtimi i migrantëve në disa vende evropiane ka vazhduar gjatë gjithë vitit 2024 dhe më shumë se 3.500 njerëz kanë humbur jetën ose janë zhdukur derisa përpiqeshin të arrinin në vendet e BE-së nga deti.

Raporti thekson se diskriminimi, urrejtja dhe racizmi po rriten në vendet evropiane ndërsa ngacmimi dhe dhuna fizike kundër muslimanëve, hebrenjve dhe njerëzve me ngjyrë janë në rritje.

Një në tre gra në Evropë i është nënshtruar dhunës me bazë gjinore dhe se për të penguar këtë është e nevojshme që të ofrohet trajnim ndaj profesioneve të tillë si policisë dhe mjekëve për ofrimin e shërbimeve të përshtatshme për viktimat e dhunës.

Raporti bën të ditur se dezinformimi dhe përdorimi në rritje i inteligjencës artificiale përbëjnë kërcënim për “zgjedhjet e lira dhe të ndershme” në të gjithë BE-në.

Drejtoresha e FRA-së, Sirpa Rautio tha se të drejtat themelore në Evropë përballen me probleme serioze në rritje. “Kjo është një thirrje zgjimi për BE-në dhe vendet e BE-së që të riafirmojnë angazhimet e tyre. Ne duhet të veprojmë me vendosmëri për të siguruar që të drejtat themelore të mbeten në qendër të të gjitha politikave dhe veprimeve të BE-së”, tha ajo.

Kategoritë
BotaLajme