Dëshmitari thotë se në periudhën 2018-2019 s’ishte obligative pagesa e taksës komunale për regjistrim të veturave

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dëshmitari Sylejman Hoxha, deklaroi se me aq sa e di, në periudhën kohore 2018-2019, nuk ka qenë obligative të paguajnë taksën komunale për regjistrim të veturave, andaj nuk i ishte kërkuar të bëjë një gjë të tillë.

Në këtë rast, Besart Gashi po ngarkohet se në cilësinë e zyrtarit të Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve (QRA) në Malishevë, ka bërë shkelje ligjore në 623 raste të regjistrimeve të automjeteve, duke i shkaktuar dëm në vlerë prej 5 mijë e 700 euro Komunës së Malishevës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë dëshmisë, dëshmitari Hoxha tha se në periudhën kohore 2018/2019 ka qenë pronar i kompanisë NTT “DIDI Travel”, e cila merret me transport të udhëtarëve me autobus dhe se automjetet janë në emër të kompanisë. Ai tha se sigurimin e ka bërë nëpërmjet kompanisë së sigurimit.

“Kam shkuar në agjensionin që më ka ofruar çmimin më të volitshëm, tek Dukagjini, SigKos, etj; pra nuk kam shku vetëm te një agjension”, ka thënë dëshmitari Hoxha.

Pagesat për taksat e ndryshme, Hoxha thotë se i ka bërë disa herë personalisht, e në disa raste është angazhuar dhe punëtorja e kompanisë.

“Pagesat i kam bërë aty përballë QRA, në kioskë Vllesa”, tha ai.

Kur u pyet nga prokurorja Dëshirë Jusaj, nëse i kujtohet të ketë bërë pagesë për taksë komunale, dëshmitari tha se nuk i kujtohet se i është kërkuar nga kompania e sigurimit ku e kishte dërguar dokumentacionin e automjeteve të bëjë pagesë në QRA.

Në këtë seancë u dëgjua edhe dëshmitari Shpejtim Morina, i cili tha se automjetin e tipit BMW X3 e kishte regjistruar në QRA në Malishevë në periudhën 2018-2019, por se nuk e di a e kishte regjistruar personalisht apo ia kishte dhënë punëtorit të kompanisë së sigurimit.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi