Deklaratat bizare të pilotit izraelit që bombardoi Teheranin: “Qyteti është i bukur nga lart, shpresoj ta vizitoj një ditë”

Gazeta izraelite Jerusalem Post ka zhvilluar një intervistë me disa pilotë që morën pjesë në sulmet ajrore ndaj Teheranit, dhe deklaratat e tyre, duke marrë parasysh kontekstin e luftës dhe pasojat e përplasjes së fundit mes Iranit dhe Izraelit, janë konsideruar nga shumëkush si të çuditshme dhe provokuese.

Njëri prej pilotëve tregoi se ditën kur filluan sulmet, mori një mesazh ndërsa ishte duke kryer detyrat e përditshme:

“Para se të agojë dita, paraqitu në skuadrilë. Nesër ndodh – goditja parandaluese ndaj projektit bërthamor të Iranit.”

Ai theksoi se për këtë mision ishin përgatitur prej vitesh dhe ndonëse ishte me familjen – prindërit, bashkëshorten dhe fëmijët – nuk mund të zbulonte asgjë. “Duhet të sillesh sikur çdo gjë është normale. E dija se raketat mund të godisnin Izraelin brenda 24 orëve. Por nëse do t’i paralajmëroja, misioni do të dështonte. Është një ndjenjë brutale – kafshon buzën për të shpëtuar jetë,” tha ai.

Ai përshkroi gjithashtu ndjesinë që pati gjatë fluturimit mbi Teheran:

“Nga 9.000 metra lartësi, Teherani dukej pothuajse i qetë. Një qytet si çdo tjetër – pastoral, i heshtur. Ndoshta njerëzit poshtë ndiheshin të frikësuar, por nga lart dukej i paqtë. Të fluturosh mbi Lindjen e Mesme me një avion luftarak izraelit është çmenduri. Teherani është i mrekullueshëm nga lart, shpresoj ta vizitoj një ditë.”

Sipas raportit, përveç qendrave komanduese të Gardës Revolucionare (IRGC) dhe forcave të armatosura iraniane, forcat ajrore izraelite goditën edhe objektiva të tjera jo-ushtarake, përfshirë një burg, një stacion televiziv dhe një spital në kryeqytetin iranian.

Kategoritë
BotaLajme