Deklarata e ministres së Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla se nëse Serbia na sulmon ne e mbrojmë vendin tonë, ka nxitur reagimin e Sekretares së Përgjithshme të PDK-së, Vlora Çitaku.
Gërvalla deklaroi mbrëmë në televizionin Syri në Shqipëri se “një gjë nuk hezitoj t’ua them gjithmonë edhe kolegëve të mi ndërkombëtarë, që në Kosovë, nëse Serbia na sulmon dhe mendon që mund të pushtojë territor, të jeni të sigurt që ne e mbrojmë vendin tonë”.
Çitaku e ka cilësuar këtë deklaratë si fyerje dhe poshtërim.
“Për ta rrumbullakuar: Donika Gërvalla ua paska bërë me dije ndërkombëtarëve se Kosova nuk është më ajo që ka qenë. Se, nëse na sulmon Serbia, kësaj here paska kush lufton e kush e mbron. Madje, ka folur edhe për heroizmin e Ukrainës. Çfarë fyerje! Çfarë fyerje dhe poshtërimi për mijëra gra e burra që guxuan ta mundin frikën, që e sfiduan vdekjen, që ëndërruan lirinë dhe luftuan për të”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Ajo ka theksuar se kjo deklaratë është fyerje për mijëra dëshmorë e heronj që e nderuan vendin me jetën e tyre.
“Çfarë fyerje për ata burra e gra që, me urtësi dhe guxim, në rrethana lufte ndërtuan aleanca me botën demokratike, aleanca të cilat sot po i dëmtoni me papërgjegjësi. E gjithë kjo nuk është vetëm mungesë mirënjohjeje. Është mjerim. Dhe trishtim i madh”, u shpreh Çitaku. /Telegrafi/