Ka nisur takimi i kryeministrit në detyrë dhe kreut të VV-së, Albin Kurti me krerët e partive të tjera në lidhje me ngërçin parlamentar.
Takimi është thirrur pasi Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë. Ftesën për partitë politike, e bëri të ditur vetë kryeministri në detyrë dhe kreu i VV-së, Albin Kurti.
“Së pari ta shohim kush po vjen, si po ecën e mandej shpresoj të kemi çfarë të themi”, tha Kurti para takimit.
Kurti ka shkruar dje se aktgjykimi i Kushtetueses thekson qartë se konsituimi i Kuvendit është obligim i të gjithë partive, dhe jo vetëm i subjektit të parë.