Çmimet e biletave marramendëse: Spanja dhe Argjentina luajnë finalen më të shtrenjtë në historinë e sportit

Ethet para finales së Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës kanë arritur kulmin, ndërsa bashkë me to janë rritur edhe çmimet e biletave, të cilat po thyejnë çdo rekord të mëparshëm në botën e sportit.

Sipas informacioneve të publikuara nga media e njohur franceze RMC Sport, përballja e ardhshme po bëhet zyrtarisht finalja më e shtrenjtë në historinë e sportit. Dëshira e tifozëve për ta ndjekur drejtpërdrejt përballjen historike për fronin botëror ka krijuar një kërkesë të paparë, ndërsa shifrat që qarkullojnë në publik janë vërtet marramendëse.

Për tifozin e zakonshëm, udhëtimi drejt stadiumit MetLife në New Jersey do të mbetet vetëm një ëndërr, duke marrë parasysh se çmimet e biletave kanë arritur nivele astronomike.

Çmimi mesatar i një bilete në treg aktualisht është plot 9.717 euro. Edhe për opsionin më të lirë, i cili përfshin vendet më të dobëta në stadium dhe nuk ofron ndonjë përfitim të veçantë, duhet të paguhen rreth 3.496 euro.

Megjithatë, rekordet absolute po thyhen në platformat e rishitjes së biletave, ku janë regjistruar disa oferta me çmime që arrijnë deri në 1.748.000 euro.

Sikur çmimet astronomike të mos mjaftonin, organizatorët e finales së madhe po përballen edhe me rrethana të paparashikuara natyrore.

Vetëm tri ditë para zhvillimit të ndeshjes finale në stadiumin MetLife, Nju Jorku është mbuluar plotësisht nga tymi i dendur që vjen nga zjarret pyjore në Kanada.

Kjo situatë ka shtuar dramën dhe shqetësimin lidhur me kushtet e lojës, por edhe me qëndrimin e tifozëve në ambiente të hapura.

Megjithatë, duket se as problemet mjedisore dhe as çmimet milionëshe të biletave nuk do ta pengojnë spektaklin.

Përballja e titanëve mes Argjentinës dhe Spanjës premton të shkruajë historinë e futbollit, ndërsa fatlumët e pasur që do të jenë në tribuna do të paguajnë çmimin më të lartë të regjistruar ndonjëherë në botën e sportit.

Kategoritë
Sport