Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mori vendimin për të dërguar 2.000 trupa të Gardës Kombëtare në Los Angeles për shkak të protestave masive kundër agjentëve të Agjencisë Amerikane për Imigracion (ICE), gjë që shkaktoi një përplasje të drejtpërdrejtë me autoritetet e Kalifornisë.
Agjentët e ICE-it kanë kryer në mënyrë të përsëritur bastisje nëpër Los Angeles dhe kanë arrestuar persona që ata i konsiderojnë të paligjshëm në SHBA, gjë që ka çuar në protesta lokale.
Protestat më pas degjeneruan në përleshje të drejtpërdrejta mes demonstruesve dhe agjentëve të ICE-it, dhe Trump vendosi të dërgojë Gardën Kombëtare në Los Angeles.
Çfarë është Garda Kombëtare?
Garda Kombëtare mund të konsiderohet si një formë ushtrie e shteteve federale të SHBA-së, por mund të vihet edhe nën kontrollin e qeverisë federale në raste të caktuara të përshkruara nga ligji amerikan.
Me fjalë më të thjeshta, këto janë trupa që i përkasin shteteve federale amerikane dhe janë nën kontrollin e guvernatorëve të këtyre shteteve, por në raste emergjente mund të shërbejnë si rezervistë të ushtrisë amerikane.
Ajo rrjedh nga trupat që u vetëformuan përpara Revolucionit Amerikan dhe që udhëhoqën luftën kundër perandorisë britanike, përpara se të krijohej ushtria e rregullt amerikane.
Gjatë pjesës më të madhe të historisë së SHBA-së, Gardat Kombëtare të shteteve kanë qenë forca kryesore ushtarake, ndërsa ushtria federale ka qenë relativisht e vogël.
Zakonisht, Garda Kombëtare vepron nën urdhrat e guvernatorëve dhe angazhohet për ndihmë pas fatkeqësive natyrore apo sulmeve terroriste.
Guvernatorët e disa shteteve jugore të SHBA-së kanë përdorur Gardën Kombëtare edhe si “forcë përforcuese” në kufirin me Meksikën, në rastet e rritjes së kalimeve ilegale.
Çfarë kompetencash ka Trump si president?
Sipas ligjeve që rregullojnë përdorimin e forcave të armatosura, presidenti i SHBA-së ka të drejtë të përdorë trupat e Gardës Kombëtare në raste të veçanta.
Kështu, këto trupa janë përdorur edhe në luftëra jashtë vendit, si në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore apo në Luftën e Vietnamit, ndërsa një kontingjent nga Maryland-i ishte dërguar edhe në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë luftës 1992–1995.
Por, për sa i përket përdorimit të Gardës Kombëtare brenda vendit, presidenti mund t’i vendosë ato nën komandën e tij vetëm në rast “pushtimi” apo “revolte”.
Pikërisht këtë dispozitë ligjore Trump e përdori, duke deklaruar se do të aktivizojë trupat për të shtypur “revoltën” kundër agjentëve të ICE-it në Los Angeles.
Megjithatë, menjëherë u përball me padi nga guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i cili argumentoi se nuk bëhej fjalë për revoltë, por për të drejtën legjitime të protestës, që mbrohet nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane.
Historiku i përdorimit të Gardës Kombëtare në SHBA
Në historinë moderne të SHBA-së, pra që nga fillimi i shekullit XX, trupat e Gardës Kombëtare kanë qenë shpesh aktive brenda vendit, por kryesisht me kërkesë të guvernatorëve të shteteve.
Për shembull, Garda Kombëtare ndihmoi në ruajtjen e rendit gjatë trazirave racore në New York në vitin 1964, gjatë protestave kundër Luftës së Vietnamit në vitin 1970, në trazirat racore në Los Angeles në vitin 1992, dhe kundër kultit Branch Davidians në Teksas në vitin 1993.
Të gjitha këto ndërhyrje u bënë me kërkesën e guvernatorëve përkatës. Vetëm dy herë në histori trupat janë aktivizuar brenda SHBA-së me urdhër të presidentit:
- Herën e parë në vitin 1965, kur presidenti Lyndon B. Johnson dërgoi trupat në Alabama kundër dëshirës së guvernatorit, për të mbrojtur protestuesit për të drejtat civile të afrikano-amerikanëve.
- Herën e dytë këtë vit, kur Trump dërgoi 2.000 trupa në Los Angeles, kundër dëshirës së guvernatorit Newsom.
Së fundmi, duhet përmendur edhe ligji i njohur si Posse Comitatus i vitit 1878, i cili ndalon përdorimin e trupave të Gardës Kombëtare për zbatimin e ligjit.
Sipas këtij ligji, trupat e Gardës Kombëtare nuk mund të arrestojnë persona apo të kryejnë funksione të policisë, por mund të mbrojnë agjentët e agjencive federale – pikërisht për këtë funksion Trump i angazhoi në Los Angeles.