Elon Musk ka ngritur akuza serioze kundër presidentit amerikan Donald Trump, duke pretenduar se ai ka lidhje me të dënuarin për krime seksuale Jeffrey Epstein – në kuadër të një përplasjeje të ashpër publike që po zhvillohet midis tyre.
Në rrjetin e tij X, Musk shkroi:“Ka ardhur koha të hedhim një bombë të madhe: [Trump] është në dosjet e Epstein-it. Kjo është arsyeja e vërtetë pse ato nuk janë publikuar.”
Kujtojmë se administrata e Trumpit dikur kishte premtuar se do t’i deklasifikonte të gjitha dokumentet lidhur me rrjetin e trafikimit seksual të Epstein-it, por ky proces u ndal nga FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë pasi disa dokumente ishin bërë publike.
A ka prova konkrete për lidhje kriminale?
Deri më tani, nuk ka prova që lidhin drejtpërdrejt Trumpin me ndonjë vepër penale në rrjetin e Epstein-it. Ai ka mohuar çdo përfshirje në aktivitete të paligjshme dhe ka deklaruar se nuk ishte “admirues” i Epstein-it pasi u distancuan.
Si u njohën Trump dhe Epstein?
Trump dhe Epstein ishin miq që nga fundi i viteve 1980 dhe frekuentonin qarqet e larta të Nju Jorkut dhe Palm Beach-it. Kanë marrë pjesë në festa të përbashkëta, përfshirë evente në resortin Mar-a-Lago të Trumpit dhe në sfilata të “Victoria’s Secret”. Në vitin 2002, Trump deklaroi për New York Magazine:
“E njoh Jeff-in prej 15 vitesh. Është një djalë fantastik. Me të është gjithmonë qejf. Thuhet se i pëlqejnë gratë e bukura po aq sa mua – dhe shumë prej tyre janë mjaft të reja.”
Në dosjet e rrjedhura të Epstein-it figurojnë numrat e telefonit të Trumpit dhe Melanias, ndërsa Trump përmendet disa herë në regjistrat e fluturimeve të avionit famëkeq “Lolita Express”.
Çfarë tha Epstein për Trumpin?
Sipas gazetarit Michael Wolff, Epstein e përshkroi Trumpin si mik të ngushtë për 10 vite. Në regjistrime audio të vitit 2018, ai e quan Trumpin “njeri të tmerrshëm” që “i tradhton edhe miqtë e vet më të ngushtë”.
Ai madje pretendoi se Trump kishte pasur marrëdhënie seksuale për herë të parë me bashkëshorten e tij Melania në avionin e Epstein-it, dhe se kishin pasur një “garë” se kush do të shtrihej i pari me princeshën Dianë.
Çfarë kanë thënë viktimat e Epstein-it?
- Stacey Williams, ish-modele, deklaroi se Trump e kishte prekur në mënyrë të papërshtatshme në Trump Tower në vitin 1993, me ndërmjetësimin e Epstein-it. Fushata e Trumpit e mohoi këtë akuzë.
- Virginia Giuffre, një nga viktimat më të njohura të Epstein-it, punoi si masazhatore në Mar-a-Lago kur ishte vetëm 16 vjeç – vend ku thuhet se u rekrutua nga Ghislaine Maxwell për rrjetin e trafikimit.
Si përfundoi miqësia mes Trumpit dhe Epstein-it?
Sipas burimeve të The Times, Trump dhe Epstein u përplasën në vitin 2004 për një vilë luksoze në Palm Beach. Pas kësaj, marrëdhënia e tyre përfundoi. Në vitet që pasuan, Trump ofroi ndihmë për disa prej viktimave të Epstein-it – përfshirë një dëshmi për avokatët e Courtney Wild, një tjetër viktimë.
A ka pasur Epstein qasje në rrethin e Trumpit gjatë presidencës?
Po. Sipas Michael Wolff, Epstein pretendonte se kishte ende njohuri dhe qasje në njerëz të afërt me Trumpin gjatë presidencës së tij në 2017. Ai fliste për njohuri mbi raportet e brendshme të administratës dhe kabinetit.
Zëdhënësja e fushatës së Trumpit, Karoline Leavitt, i hodhi poshtë të gjitha akuzat duke quajtur Michael Wolff një “shkrimtar të diskredituar që shpik gënjeshtra për të shitur libra fiktivë”.