Komisioni Qendror Zgjedhor sot pritet që të bëjë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Para certifikimit të këtyre rezultateve, Komisioni Qendror Zgjedhor është përkujdesur që t’u dërgojnë një letër partive politike, duke i informuar për detyrimet ligjore që lidhen me dorëheqjen e anëtarëve të Qeverisë aktuale që janë zgjedhur deputetë në legjislaturën e re.
Në këtë letër theksohet se neni 26 i Ligjit për Qeverinë e Kosovës kërkon që anëtarët e Qeverisë të cilët janë zgjedhur për deputet të Kuvendit të Kosovës duhet të japin dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultateve.
Në përputhje me Ligjin për Qeverinë e Kosovës, KQZ ka njoftuar se certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025, do të bëhet më 27 mars, në orën 16:00.
Kryetari i KQZ-së, Radoniqi, ka apeluar te partitë politike që të respektojnë ligjin dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për dorëheqjen e anëtarëve të Qeverisë që janë zgjedhur deputetë, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i rregullt i institucioneve të Kosovës.
Nga Qeveria aktuale, përveç kryeministrit Albin Kurti, janë zgjedhur deputetë edhe disa ministra dhe zëvendësministra, si: Faton Peci, Hekuran Murati, Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla, Donika Gërvalla-Schwarz, Arben Vitia, Ejup Maqedonci, Hajrullah Çeku, Arbërie Nagavci, Liza Gashi, Rozeta Hajdari, Fikrim Damka, Nenad Rashiq, Elbert Krasniqi dhe Emilja Rexhepi