Eugen Cakolli, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, ka reaguar ndaj idesë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe atyre lokale në të njëjtën ditë, duke e cilësuar këtë si një veprim të papërgjegjshëm që rrezikon cilësinë e procesit zgjedhor dhe përfaqësimit demokratik në vend.
Sipas tij, një skenar i tillë do të ngarkonte tej mase të gjithë procesin, duke përfshirë qytetarët, komisionerët, si dhe trupat menaxhuese të zgjedhjeve.
“Tri fletëvotime për çdo qytetar, tri nivele kandidatësh, procedura të ndërlikuara, komisionerë të papërgatitur, ngarkesë për trupat menaxhuese të zgjedhjeve, dy lloj fushatash – dhe mbi të gjitha, paqartësi e madhe për votuesin”, ka shkruar Cakolli në një postim në Facebook.
Ai paralajmëron se mbajtja e dy zgjedhjeve në një ditë rrit ndjeshëm mundësinë për gabime teknike, vota të pavlefshme, kontestime dhe rinumërime të gjata.

“Ky skenar nuk po shtyhet përpara sepse është i arsyeshëm, por sepse partitë politike, e sidomos partia e parë, po kërkojnë një ‘zgjidhje’ për krizën që vetë e kanë krijuar”, shton ai.
Cakolli thotë se në vend të një marrëveshjeje që respekton mandatin e fituar më 9 shkurt, partitë po orientohen drejt një formule që, sipas tij përzien dy procese të ndara vetëm për të krijuar “një rifillim artificial”.
“Zgjedhjet janë mjet i demokracisë – por nuk mund dhe nuk duhet të përdoren për të zëvendësuar përgjegjësinë politike”, përfundon ai. /Telegrafi/