Sllovakia do të bllokojë çdo sanksion të Bashkimit Evropian kundër Rusisë që dëmton interesat e saj kombëtare, deklaroi të dielën kryeministri Robert Fico, pasi parlamenti miratoi një rezolutë që i kërkon qeverisë të mos mbështesë masa të reja.
Fico theksoi se Sllovakia dëshiron të mbetet një anëtare konstruktive e bllokut, por e quajti këtë rezolutë një instrument politik me mesazh të fuqishëm.
“Nëse një sanksion do të na dëmtonte, nuk do të votoj kurrë për të,” u shpreh Fico në një konferencë për shtyp.
Sllovakia, vend anëtar i NATO-s dhe BE-së, nën qeverisjen e Ficos është distancuar nga aleatët perëndimorë sa i përket mbështetjes për Ukrainën, duke ndalur ndihmën ushtarake shtetërore për Kievin.
Ai ka qenë vazhdimisht kundër sanksioneve ndaj Rusisë, duke argumentuar se ato dëmtojnë më shumë Sllovakinë dhe BE-në sesa Rusinë.
Rezoluta e re, e miratuar në parlament, detyron anëtarët e qeverisë të mos votojnë për sanksione apo kufizime të reja tregtare kundër Rusisë. Ende nuk është e qartë nëse kjo rezolutë ka fuqi detyruese kushtetuese.
Fico gjithashtu tha se nuk do të mbështesë masa që ndalojnë importin e karburanteve bërthamore ruse për centralet nukleare të Sllovakisë.
“Jam i interesuar të jem një lojtar konstruktiv në Bashkimin Evropian, por jo në kurriz të Sllovakisë,” shtoi ai.
Deri më tani, Sllovakia nuk ka bllokuar asnjë paketë sanksionesh të BE-së, përfshirë paketën e 17-të kundër “flotës së errët” të Rusisë, të miratuar në maj.
Përpjekjet për të sanksionuar sektorët rusë të gazit dhe energjisë bërthamore vazhdojnë të hasin rezistencë, sidomos nga Sllovakia dhe Hungaria, të cilat vazhdojnë të mbështeten fuqishëm në burimet energjetike ruse.