Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, premtoi tre miliardë paund (3.74 miliardë dollarë) ndihmë ushtarake vjetore për Ukrainën “për aq kohë sa duhet” dhe shtoi se Londra nuk ka asnjë kundërshtim që armët të përdoren brenda Rusisë.
“Ne do të japim tre miliardë paund çdo vit për aq kohë sa duhet. Ne kemi shteruar vërtet gjithçka që mundemi për sa i përket dhënies së pajisjeve,” i tha ai Reuters në një intervistë gjatë një vizite në Kiev.
Kjo është paketa më e madhe e ndihmës nga Britania e Madhe deri më sot.
Cameron tha se Ukraina ka të drejtë të përdorë armët, të cilat i janë furnizuar nga Londra, për të sulmuar objektivat brenda Rusisë dhe se varet nga Kievi nëse do ta bëjë këtë.
“Ukraina e ka këtë të drejtë. Ashtu siç Rusia po sulmon brenda Ukrainës, është plotësisht e kuptueshme pse Ukraina ndjen nevojën për të siguruar që të jetë në gjendje të mbrohet”, tha Cameron për Reuters.
Deri më tani, zyrtarët perëndimorë nuk e kanë miratuar në mënyrë eksplicite përdorimin e ndihmës perëndimore brenda territorit rus dhe në disa raste gama e armëve ka qenë e kufizuar qëllimisht.
Cameron, i cili udhëhoqi Britaninë nga viti 2010 deri në 2016 si kryeministër dhe u kthye në politikë vetëm disa muaj më parë, u takua me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës Dmytro Kuleb dhe Presidentin Volodymyr Zelensky në vizitën e tij të dytë në Kiev si ministër i Jashtëm.