“Britania ka paralajmëruar Libanin se Izraeli do të sulmojë”

Shumë diplomatë të huaj kanë paralajmëruar Libanin për një sulm të mundshëm nga Izraeli, ndërsa mesazhi më i dukshëm ka ardhur nga Britania

Raportohet se Britania ka paralajmëruar autoritetet e Libanit se Izraeli mund të zhvillojë një sulm në mes të qershorit, transmeton Anadolu.

Në lajmin që bazohet në disa burime të gazetës Al-Akhbar që njihet për afërsinë me Hezbollahun në Liban, thuhet se shumica e të ftuarve të huaj që kanë vizituar kryeqytetin Bejrut kanë theksuar shqetësimet e tyre në drejtimin se do të ketë një kërcënim serioz nga Izraeli.

Mesazhi më i dukshëm ka ardhur nga Britania, thuhet në lajmin ku bëhet e ditur se në mesazhin paralajmërues të Londrës vihet në dukje se sulmi i mundshëm i Izraelit ndaj Libanit mund të jetë në mes të qershorit.

“Londra u ka rekomanduar autoriteteve të Bejrutit që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për një luftë të mundshme, shkalla dhe kohëzgjatja e së cilës nuk mund të parashikohen”, thuhet në lajm.

Edhe lideri druze në Liban, Walid Jumblatt, gjatë vizitës së tij të fundit në Doha, ka dëshmuar se në Katar ishin të shqetësuar për qëllimet e Izraelit ndaj Libanit, thuhet në lajm.

“Palët arabe të përfshira në negociatat për një armëpushim në Gaza kanë përcjellë se autoritetet izraelite nga ushtria dhe politikanët janë të gatshëm për një veprim parandalues, ​si ​kundër qeverisë libaneze, edhe kundër Hezbollahut”, theksohet në lajm.

Nga autoritetet zyrtare nuk ka ende asnjë deklaratë lidhur me pretendime e publikuara në gazetën Akhbar.

Izraeli, i cili vazhdon sulmet e tij në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, është në konflikt gjithashtu me Hezbollahun libanez në kufirin verior.

Në këto konflikte u njoftua se kanë humbur jetën 325 anëtarë të Hezbollahut, 65 civilë libanezë, 19 anëtarë të Lëvizjes Amal, 13 anëtarë të Hamasit, 15 anëtarë të Xhihadit Islamik, 14 ushtarë izraelitë dhe 10 civilë izraelitë.

Kategoritë
BotaLajme