Britania e Madhe rikthen armët bërthamore në qiell: Blerje e 12 avionëve amerikanë F-35A me kapacitet bërthamor

Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se do të blejë 12 avionë luftarakë të tipit F-35A, të aftë për të bartur armë bërthamore, duke zgjeruar kështu arsenalin e saj të parandalimit, i cili deri më tani ka qenë i kufizuar vetëm në raketat bërthamore të lansuara nga nëndetëset.

“Këta avionë F-35 me aftësi të dyfishtë do të shënojnë një epokë të re për Forcat Ajrore Mbretërore dhe do të shërbejnë si faktor parandalues ndaj kërcënimeve që i kanosen Britanisë së Madhe dhe aleatëve tanë”, deklaroi kryeministri Keir Starmer të martën.

Downing Street e përshkroi këtë vendim si “forcimin më të madh të qëndrimit bërthamor të Britanisë në një gjeneratë”, duke shtuar se Starmer do ta paraqesë zyrtarisht planin në samitin e së mërkurës.

Që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, mbrojtja bërthamore e Mbretërisë së Bashkuar brenda Aleancës së NATO-s është siguruar ekskluzivisht nga raketat e lansuara përmes nëndetëseve të Marinës Mbretërore.

F-35A, një avion luftarak i gjeneratës së pestë i ndërtuar kryesisht nga kompania amerikane Lockheed Martin, konsiderohet si një nga avionët më të avancuar në botë – por gjithashtu edhe ndër më të kushtueshmit.

Sipas qeverisë britanike, kjo blerje do të mbështesë rreth 20.000 vende pune në kuadër të programit F-35 në Britani, ku 15% e zinxhirit global të furnizimit për këta avionë ndodhet brenda territorit britanik.

Kategoritë
BotaLajme