Britania e Madhe dhe Franca heqin dorë nga njohja e Palestinës në konferencën e qershorit

Britain's Prime Minister Keir Starmer, right, and France's President Emmanuel Macron at the European leaders' summit to discuss Ukraine, at Lancaster House, London, Sunday March 2, 2025. (Justin Tallis/Pool via AP)

Britania e Madhe dhe Franca nuk do ta njohin shtetin palestinez në konferencën e planifikuar që do të mbahet në New York më 17–20 qershor, raportojnë mediat botërore.

Më parë, Franca kishte lobuar pranë Britanisë dhe aleatëve evropianë për ta bërë këtë hap gjatë konferencës. Presidenti Emmanuel Macron e kishte cilësuar njohjen si një “detyrim moral dhe kërkesë politike”, duke sugjeruar se mund të ndërlidhet me njohjen e Izraelit nga Arabia Saudite.

Megjithatë, sipas The Guardian, zyrtarët francezë e kanë informuar këtë javë homologët izraelitë se konferenca nuk do të jetë momenti i njohjes. Në vend të kësaj, konferenca do të fokusohet në definimin e hapave drejt njohjes, të kushtëzuara me masa dhe lëshime nga pala palestineze.

Këto kushte përfshijnë:

  • Armëpushim të qëndrueshëm në Gaza
  • Lirimin e pengjeve izraelite
  • Reformimin e Autoritetit Palestinez
  • Rindërtimin ekonomik
  • Fundin e sundimit të Hamasit në Gaza

Ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot tha se një vendim i tillë do të ishte “simbolik”, por Franca ka “përgjegjësi të veçantë” si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe nuk do të veprojë pa përkrahjen e aleatëve.

Frika nga zvarritja

Kenneth Roth, ish-drejtor i Human Rights Watch, shprehu shqetësimin se këta hapa mund të përdoren për të shtyrë njohjen pafundësisht, duke e quajtur këtë një rrezik për ta kthyer procesin e paqes në një mjet bosh diplomatik.

Aktualisht, 147 shtete e njohin Palestinën si shtet sovran, por shumica e vendeve evropiane janë treguar hezituese dhe kanë kushtëzuar njohjen me miratimin izraelit dhe veprime reciproke nga vendet arabe.

Presioni ndërkombëtar

Vitin e kaluar, Irlanda, Spanja dhe Norvegjia e njohën Palestinën, ndërsa gjithnjë e më shumë vende brenda BE-së po mbështesin një njohje të njëanshme si mjet presioni ndaj Izraelit.

Megjithatë, sipas Middle East Eye, SHBA-të kanë ushtruar presion ndaj Britanisë dhe Francës që të mos e bëjnë këtë hap. Ndërkohë, Izraeli ka kërcënuar se do të zgjerojë ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor si kundërpërgjigje. Ministri izraelit i mbrojtjes Israel Katz tha se do të ndërtohen 22 vendbanime të reja, për të “parandaluar formimin e një shteti palestinez”.

Në korrik 2023, parlamenti izraelit votoi me shumicë dërrmuese kundër krijimit të një shteti palestinez.

Kategoritë
BotaLajme