Siç është raportuar, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të votojë mbi një rezolutë që do t’i jap “të drejta dhe privilegje” të reja Palestinës dhe do t’i bëjë thirrje Këshillit të Sigurimit të rishqyrtojë “në mënyrë të favorshme” kërkesën e saj për t’u bërë anëtarja e 194-të e Kombeve të Bashkuara.
Dhe përpara këtij votimi, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Spanja, Irlanda dhe vendet e tjera anëtare të BE po planifikojnë që me datë 21 maj të njohin shtetin palestinez.
Edhe kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, tha se Spanja dhe Irlanda, së bashku me Slloveninë dhe Maltën, kanë rënë dakord të ndërmarrin hapat e parë drejt njohjes së një shteti palestinez përkrah Izraelit, duke e parë një zgjidhje me dy shtete si thelbësore për paqen e qëndrueshme.
I pyetur në radio stacionin lokal spanjoll RNE nëse 21 maji ishte data kur Spanja, Irlanda dhe vendet e tjera të BE-së do të njihnin një shtet palestinez, Borrell tha po, duke përmendur edhe Slloveninë, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
“Më shumë se një shtet, do ta njohin vullnetin që ai shtet të ekzistojë”.
Borell shtoi se shtetet njohëse të Palestinës mund të ndiqen edhe nga Belgjika dhe të tjera.
Ndryshe, edhe Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, nuk e ka përjashtuar mundësinë e njohjes së Palestinës para përfundimit të bisedimeve izraelito-palestineze për një zgjidhje me dy shtete.