Shoqata e Biznesmenëve dhe Zejtarëve ESNAF ka reaguar ashpër ndaj zbatimit të sistemit të ri të arkave fiskale në Kosovë, duke shprehur shqetësimin për vështirësitë që po përballen bizneset në terren. Reagimi vjen menjëherë pas nënshkrimit të Udhëzimit të ri Administrativ nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili synon të modernizojë procesin e fiskalizimit dhe ta kalojë atë në një sistem digjital.
Në një deklaratë publike, kryetari i Shoqatës Esnaf, Varis Xhejlani ka theksuar se bizneset, për një servis apo një error të thjeshtë në arkën fiskale, detyrohen të udhëtojnë deri në Pejë, çka po shihet si barrë shtesë dhe jo zgjidhje.
“Viti 2025 – për një servis apo një error të thjeshtë në arkën fiskale, bizneset duhet të udhëtojnë deri në Pejë! Kjo është e papranueshme dhe e pakuptimtë në ditët e sotme, kur teknologjia duhet të jetë në funksion të lehtësimit të punës së bizneseve – jo pengesë për to,” thuhet në reagim.
Shoqata i ka bërë thirrje Ministrisë së Financave dhe vetë ministrit Murati që të ndërhyjë menjëherë për të përmirësuar situatën dhe për të garantuar që zbatimi i sistemit të ri të mos dëmtojë operimin e qindra bizneseve në vend.
Nga ana tjetër, Ministri Murati kishte deklaruar se Udhëzimi Administrativ është hartuar pas një pune të gjatë profesionale dhe synon një reformë të plotë të sistemit të arkave fiskale, duke mundësuar kalimin në një sistem digjital të deklarimit të shitjeve. Ai ka siguruar se bizneset do të kenë kohë të mjaftueshme për tranzicionin, ndërsa për ofrimin e softuerit fiskal do të kujdesen ofrues të licencuar nga ATK.