Presidenti amerikan Donald Trump dhe udhëheqësi kinez Xi Jinping pritet të bisedojnë këtë javë, deklaroi dje zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, disa ditë pasi Trump akuzoi Kinën për shkelje të marrëveshjes për heqjen e tarifave dhe kufizimeve tregtare.
Leavitt është zyrtarja e tretë e lartë në administratën e Trump që paralajmëron një telefonatë të afërt mes dy liderëve, me synimin për të zbutur dallimet që lidhen me marrëveshjen doganore të muajit të kaluar në Gjenevë.
Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, deklaroi në programin “Face the Nation” të CBS-it të dielën se Trump dhe Xi do të dakordohen “shumë shpejt” për një bisedë ku do të diskutojnë mosmarrëveshjet tregtare, përfshirë çështjen e mineraleve kyçe dhe kufizimet e eksportit të disa prej tyre.
Vetë Trump deklaroi të premten se ishte i bindur se do të fliste së shpejti me Xi-në.
Të shtunën, Zyra e Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së njoftoi se do të vazhdojë të përjashtojë nga tarifat ekzistuese disa pajisje për prodhimin e energjisë diellore dhe produkte të tjera kineze deri më 31 gusht, duke ofruar një zgjatje tremujore ndërsa bisedimet me Pekinin vazhdojnë.
Bessent drejtoi muajin e kaluar në Gjenevë negociatat me Kinën, të cilat çuan në një armëpushim të përkohshëm në luftën tregtare mes dy ekonomive më të mëdha të botës. Por sipas tij, përparimi pas kësaj ka qenë i ngadaltë.
Marrëveshja mes SHBA-së dhe Kinës për uljen e tarifave për 90 ditë shkaktoi një rritje të ndjeshme të çmimeve të aksioneve në tregjet globale.
Megjithatë, nuk zgjidhi shkaqet thelbësore të vendosjes së tarifave nga Trump ndaj mallrave kineze, kryesisht ankesat afatgjata të SHBA-së ndaj modelit ekonomik të Kinës të bazuar në subvencionimin shtetëror dhe orientimin drejt eksportit, duke i lënë këto çështje për negociatat e ardhshme.
Gjykata tregtare amerikane vendosi të mërkurën se Trump kishte tejkaluar kompetencat e tij duke vendosur shumicën e tarifave për importet nga Kina dhe vende të tjera, duke u mbështetur në Ligjin për Kompetencat Ekonomike Ndërkombëtare në Raste Emergjente.
Megjithatë, më pak se 24 orë më vonë, një gjykatë federale e apelit riktheu përkohësisht tarifat, duke pezulluar zbatimin e vendimit derisa të shqyrtohet ankesa e qeverisë. Gjykata e apelit u kërkoi paditësve të përgjigjen deri më 5 qershor, ndërsa administratës deri më 9 qershor.