Senatori Bernie Sanders të mërkurën kritikoi ndikimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, duke paralajmëruar disa herë se Uashingtoni nuk duhet të tërhiqet në një luftë të mundshme me Iranin.
“Netanyahu nuk është president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai nuk duhet të përcaktojë politikën e jashtme dhe ushtarake amerikane. Nëse populli i Izraelit e mbështet vendimin e tij për të nisur luftë me Iranin, kjo është çështje e tyre dhe lufta e tyre. Shtetet e Bashkuara nuk duhet të bëhen pjesë e saj,” shkroi Sanders në rrjetin X.
Të hënën, Sanders paraqiti një projektligj që do të ndalonte përdorimin e fondeve federale për veprime ushtarake të SHBA-së kundër Iranit pa autorizim të qartë nga Kongresi.
Ligji, i quajtur “Ligji kundër luftës me Iranin”, përfshin përjashtime për raste të vetëmbrojtjes, siç përcaktohet në Ligjin për Kompetencat e Luftës dhe në legjislacionin përkatës amerikan.
Senatorët Peter Welch, Elizabeth Warren, Jeff Merkley, Chris Van Hollen, Ed Markey, Tammy Baldwin dhe Tina Smith iu bashkuan Sandersit në mbështetjen e këtij ligji.
Presidenti Donald Trump të mërkurën la të hapur mundësinë që SHBA t’i bashkohet sulmeve izraelite ndaj Iranit, duke thënë se “tashmë i ka humbur durimi” me Teheranin. “Prandaj po bëjmë atë që po bëjmë,” deklaroi ai.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që nga e premtja, kur Izraeli kreu sulme ajrore në disa lokacione në Iran, përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, ndaj të cilave Teherani reagoi me kundërsulme.