Bernie Sanders: Milionë dollarë po jepen për të mundur Zohran Mamdanin në garën për kryetar të New Yorkut

Senatori i njohur amerikan dhe figurë kryesore e së majtës, Bernie Sanders, ka ngritur alarmin se milionë dollarë po derdhen nga super PAC-ët e miliarderëve për të mundur kandidatin progresist Zohran Mamdani në zgjedhjet për kryebashkiak të qytetit të New Yorkut.

“Pse super PAC-ët e miliarderëve po shpenzojnë miliona për të mundur Mamdanin? Nuk është e komplikuar. Ata kanë frikë nga një kryetar bashkie që do t’u përballet interesave të fuqishme dhe do të përfaqësojë familjet punëtore. Ata kanë paratë, ne kemi njerëzit. Dilni dhe votoni,” tha Sanders në një postim të fuqishëm.

Zohran Mamdani, një emigrant mysliman dhe anëtar aktual i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, ka hyrë në garën për kryetar të qytetit si një autsajder, por tashmë konsiderohet sfiduesi kryesor i Andrew Cuomos, ish-guvernator i shtetit të New Yorkut, i cili kishte pritur një fitore të lehtë.

Të dy kandidatët janë nga Partia Demokratike, por ndërsa Cuomo merr mbështetje financiare në miliona dollarë nga donatorë të mëdhenj, Mamdani e ka bazuar fushatën e tij në kontribute të vogla, kryesisht deri në 80 dollarë.

Kampanja e Cuomos është bërë gjithnjë e më agresive, ndërkohë që mbështetja për Mamdanin po rritet fuqishëm, veçanërisht në mesin e komuniteteve punëtore dhe votuesve progresistë.

Fushata për kryetar bashkie në New York po shihet si një përballje simbolike midis politikës së korporatave dhe lëvizjes progresiste që kërkon një sistem më të drejtë për qytetarët e zakonshëm.

Kategoritë
BotaLajme