BE: Serbia do të mund të importojë gaz rus përmes Bullgarisë, por nuk guxon ta dërgojë në Hungari

Propozimi i rregullores së BE-së për heqjen graduale nga importi i gazit rus nuk zbatohet për vendet e treta, që do të thotë se, për shembull, Serbia do të mund të importojë gaz rus përmes Bullgarisë, por ai gaz nuk guxon të përfundojë në Hungari, deklaroi zëdhënësja e Komisionit, Anna-Kaisa Itkonen.

“Rregullorja për ndalimin e importit të gazit rus zbatohet vetëm në vendet anëtare, që do të thotë për gazin rus të destinuar për vendet anëtare, por jo edhe për vendet e treta”, theksoi Itkonen në një konferencë për shtyp.

“Kur themi se rregullorja nuk zbatohet, për shembull, për Serbinë, kjo do të thotë që Serbia mund të importojë gaz rus për nevojat e saj, por nëse ai gaz vazhdon rrugën drejt Hungarisë, atëherë kjo mbulohet nga rregullorja dhe autoritetet doganore hungareze duhet të verifikojnë nëse ai gaz është me origjinë ruse apo jo”, shtoi ajo.

Plani është të ndalet plotësisht importi i naftës ruse deri në fund të vitit 2027
Komisioni të martën propozoi një rregullore sipas së cilës importi i gazit rus mbi bazën e kontratave të reja do të ndalohet nga 1 janari 2026. Gazi që importohet mbi bazën e kontratave afatshkurtra do të ndalohet deri më 17 qershor 2026, përveç gazit që transportohet përmes gazsjellësit për vendet që nuk kanë dalje në det.

Rregullorja e propozuar parashikon heqjen graduale të gazit nga gazsjellësit dhe të gazit natyror të lëngshëm (LNG) që vjen nga Federata Ruse ose eksportohet drejtpërdrejt apo tërthorazi nga Federata Ruse.

Ajo gjithashtu përfshin masa për të lehtësuar ndalimin e plotë të importit të naftës ruse deri në fund të vitit 2027. Vendet anëtare do të duhet të paraqesin plane diversifikimi me masa dhe pika kyçe të përcaktuara për heqjen graduale nga importi i gazit dhe naftës ruse.

Hungarisë dhe Sllovakisë u ofrohet një lehtësim
Sipas ndalimit të parashikuar gradual të importit, importi i gazit rus në bazë të kontratave të reja do të ndalohet nga 1 janari 2026. Importi sipas kontratave ekzistuese afatshkurtra do të ndërpritet deri më 17 qershor 2026.

Si një lehtësim për Hungarinë dhe Sllovakinë, Komisioni propozon që importi i gazit përmes gazsjellësit për vendet pa dalje në det dhe që kanë kontrata afatgjata të vazhdojë deri në fund të vitit 2027, kur do të ndërpritet plotësisht.

Vendet anëtare do të duhet të përgatisin deri më 1 mars të vitit të ardhshëm planet e tyre kombëtare se si do të ndalojnë importin e naftës ruse deri në fund të vitit 2027.

Kategoritë
BotaLajme