Edhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Deti i Zi mbeti zonë e dominimit rus. Lufta në Ukrainë dhe përdorimi i dronëve detarë e ajrorë kanë detyruar flotën ruse të tërhiqet në porte, dhe tani Bashkimi Evropian ka prezantuar strategjinë e tij të parë për Detin e Zi me synimin për të parandaluar rikthimin e ndikimit rus në rajon.
Sipas The Telegraph, pak është bërë ndër vite për të kufizuar kontrollin e konsoliduar të Rusisë në këtë rajon strategjik. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Moska trashëgoi pjesën më të madhe të flotës së Detit të Zi, përfshirë një marrëveshje për përdorimin e bazës detare në Sevastopol të Krimesë.
Aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Vladimir Putin i dha Rusisë kontroll të plotë mbi këtë bazë, duke forcuar dominimin e saj detar dhe duke i mundësuar kapjen e rrugëve detare ukrainase. Përmes modernizimit ushtarak në gadishull, Rusia vendosi kapacitete të fuqishme A2/AD (ndalim i aksesit dhe kufizim manovrimi), përfshirë mbrojtjen bregdetare, nëndetëse dhe raketa tokë-ajër, duke vënë në pikëpyetje edhe praninë e NATO-s.
Megjithatë, më shumë se tre vjet pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës, presioni rus në Detin e Zi është zbehur. Ishulli i Zmijanit, dikur i pushtuar nga rusët, është rikthyer në duart e ukrainasve, dhe flota ruse është tërhequr në bregun e vet rus, falë përdorimit nga Ukraina të dronëve vendas dhe raketave perëndimore si Storm Shadow dhe ATACMS.
Në këtë kontekst, BE-ja ka publikuar strategjinë e saj të parë për Detin e Zi me objektiv të trefishtë:
- kufizimin e presionit rus në rajon,
- mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe rrugëve tregtare,
- dhe përgatitje për një konflikt të mundshëm.
Investime në infrastrukturë ushtarako-civile
Plani më ambicioz është investimi në porte, hekurudha dhe aeroporte në rajon për të përshpejtuar transportin e pajisjeve ushtarake në rast konflikti.
“Përmirësimet do të sigurojnë që trupat të mund të jenë aty ku nevojiten, kur nevojiten. Dërgesat më të shpejta të pajisjeve rrisin aftësinë parandaluese dhe gjithashtu përforcojnë NATO-n,” deklaroi Kaja Kallas, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme e BE-së.
Rrjeti aktual i infrastrukturës, veçanërisht në Bullgari dhe Rumani – dy shtete anëtare të BE-së që kufizohen me Detin e Zi – është i papërshtatshëm për lëvizjen e shpejtë të trupave në rast kërcënimi nga Rusia. Vlerësimet tregojnë se për ta bërë infrastrukturën të gatshme për përdorim ushtarak në të gjithë kontinentin do të duheshin mbi 75 miliardë euro.
Monitorim dhe siguri detare
BE-ja gjithashtu synon krijimin e një Qendre të Sigurisë Detare për Detin e Zi, për të përmirësuar vëzhgimin dhe ndarjen e informacionit ndërmjet shteteve anëtare.
Sfida kryesore: Turqia
Roli i Turqisë shihet si vendimtar – dhe njëkohësisht problematik. Edhe pse është anëtare e NATO-s dhe teknikisht kandidate për anëtarësim në BE, Turqia ndjek një politikë të pavarur dhe vazhdon tregtinë me Rusinë. Për më tepër, kontrolli i saj mbi ngushticën e Bosforit, sipas Konventës së Montreux-së, i jep Ankaras autoritet për të kufizuar hyrjen e anijeve luftarake të vendeve jo-bregdetare në Detin e Zi gjatë kohës së luftës.
Kjo do të thotë se BE-ja ka pak gjasa të vendosë një prani të fuqishme detare në rajon pa pëlqimin e Turqisë.
Turqia ka interesat e veta në rajon dhe, sipas The Telegraph, nuk pritet që ajo të lejojë një përballje të drejtpërdrejtë mes Brukselit dhe Moskës, por do të përpiqet të ruajë një balancë ndikimi në Detin e Zi.