Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, u bëri thirrje të shtunën evropianëve që të angazhohen më fort se kurrë për Ukrainën, duke vlerësuar se debati i ashpër mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky është një provë e një epoke të re turpi.
“Mbrëmë e kuptuam qartë, ka filluar një epokë e re turpi. Një epokë turpi ku duhet të mbrojmë më shumë se kurrë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe fuqinë e ligjit kundër ligjit të më të fortëve”, deklaroi shefja e diplomacisë gjermane për një televizion, sipas raportimeve të Beta.
Ajo tha se debati i së premtes në Shtëpinë e Bardhë, gjatë të cilit Trump bërtiti ndaj Zelenskyt, dukej si një makth.
“Shumë prej jush ndoshta nuk kanë fjetur mirë pasi panë pamjet tronditëse nga Shtëpia e Bardhë”, tha Baerbock, duke shtuar se as ajo vetë nuk kishte mundur të flinte.
Ajo kërkoi forcimin urgjent të mbështetjes financiare për Ukrainën, si në nivel kombëtar, ashtu edhe evropian, në mënyrë që vendi të vazhdojë të rezistojë ndaj agresionit rus, edhe në rast të një tërheqjeje të shpallur ose të mundshme të mbështetjes amerikane.
“U bëj thirrje të gjitha partive demokratike të përfaqësuara në Bundestag që të miratojnë ndihmën prej tre miliardë eurosh për Ukrainën”, tha Baerbock, duke iu referuar paketës financiare që ka shkaktuar ndarje të mëdha politike në Gjermani gjatë fushatës së fundit zgjedhore.