Avokati Koci: Ndalohet në Serbi një ish-pjesëtar i Njësisë Speciale

Avokati Arianit Koci ka njoftuar se një ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare Horgosh dhe është dërguar në qendrën e ndalimit në Kanjizhë.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se edhe pse i njëjti ka tre vjet që nuk është pjesë e Policisë së Kosovës dhe jeton në Gjermani, ai është marrë në pyetje për rastin “Banjska”.

“Ky rast është serioz dhe nuk është i izoluar. Vetëm pak ditë më parë, një ish-polic tjetër – Aleksandar Vlajiq – e ka pranuar fajësinë se ka punuar për shërbimin sekret serb (BIA) dhe është dënuar për spiunazh. Me këtë është vërtetuar se BIA serbe ka vepruar brenda territorit të Kosovës dhe brenda strukturave të saj të sigurisë”, ka shkruar Koci në Facebook.

Koci ka thënë se ndalimi i Arbnor Spahiut po duket si reagim i drejtpërdrejtë ndaj këtij zbulimi, derisa këtë e ka quajtur përpjekje për të frikësuar, për të ndëshkuar dhe për të krijuar pasiguri – sidomos për ata që dikur kanë shërbyer në institucionet e sigurisë së Kosovës.

“Ky është një sinjal i qartë për të gjithë qytetarët e Kosovës: kalimi nëpër Serbi nuk është pa rreziqe. E dini që pak ditë më parë, është ndaluar edhe një ish-deputet. Pas disa orë marrjesh në pyetje, është liruar. Jam angazhuar për mbrojtjen e Arbnorit me të gjitha mjetet ligjore. Por kjo nuk mjafton”, ka thënë ai.

Koci ka kërkuar reagim urgjent nga Ministria e Punëve të Jashtme, Zyra Ndërlidhëse në Beograd dhe të gjitha institucionet përgjegjëse.

Pasi sipas tij heshtja e sotme e nxit Serbinë të vazhdojë me ndalime të tjera.

“Dhe asnjë qytetar i Kosovës nuk duhet të përballet i vetëm me një padrejtësi të tillë. Nuk e lë vetëm askënd – me të gjitha mundësitë dhe kapacitetin profesional që e kam. Kultura shtetërore, patriotizmi fillon pikërisht aty – te mbrojtja e njerëzve/shtetasve të vet. Të gjithë për një, një për të gjithë – duhet të jetë motoja e jonë, pa paragjykuar asgjë”, ka thënë ai.

Kategoritë
LajmeRajoni