Avdullah Hoti kërkon zgjedhje të reja: Kriza politike nuk zgjidhet pa shumicë parlamentare

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me ngërçin institucional pas zgjedhjeve të fundit, duke theksuar se thellimi i krizës politike është pasojë e papërgjegjësisë së forcave politike, raporton GazetaBlic.

Ai ka theksuar se, pavarësisht të drejtës që ka partia fituese për të propozuar kandidatin për kryetar Kuvendi dhe për të formuar qeverinë, ky proces nuk mund të ecë përpara pa sigurimin e një shumice parlamentare

Hoti ka nënvizuar se pas 27 dështimeve për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, është e qartë që partia e parë nuk ka arritur të formojë shumicën e nevojshme.

Ai ka bërë thirrje për konsultime mes partive politike për të gjetur një zgjidhje kushtetuese. LDK-ja, sipas tij, ka propozuar një qeveri gjithëpërfshirëse kalimtare, por për shkak të mungesës së konsensusit, e vetmja zgjidhje mbetet dakordimi për një datë të re zgjedhjesh.

“Vendi nuk mund të lihet pa institucione,” ka përfunduar Hoti, duke shtuar se në mungesë të marrëveshjes për shumicë, fjalën duhet ta ketë sërish populli.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi