Athinë, protestuesit përleshen me policinë në tubimin e 2-vjetorit të aksidentit hekurudhor

Përleshja, e kufizuar fillimisht në një skaj të sheshit “Syntagma”, brenda pak minutash u përhap në rrugët përreth, ndërsa bombat me benzinë u hodhën në bulevardin “Basilissis Sofias” dhe në rrugët aty pranë

Protesta në Athinë për shënimin e përvjetorit të dytë të katastrofës së trenit, që mori jetën e mbi 50 personave, është përshkallëzuar në dhunë pasi demonstruesit u përleshen me policinë pranë parlamentit grek, raporton Anadolu.

Dhjetëra mijëra demonstrues u tubuan në sheshin “Syntagma” për të kërkuar drejtësi për katastrofën e trenit në qytetin Tempi, që ndodhi më 28 shkurt të vitit 2023.

Siç raportojnë mediat lokale, tensionet u përshkallëzuan kur një grup personash të paidentifikuar hodhën bomba me benzinë ndaj një njësie të madhe të policisë së trazirave të vendosura në oborrin e parlamentit.

“Sulmuesit me koka të mbuluara i shtynë protestuesit për të sulmuar policinë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës”, raportuan mediat.

Përleshja, e kufizuar fillimisht në një skaj të sheshit “Syntagma”, brenda pak minutash u përhap në rrugët përreth, ndërsa bombat me benzinë u hodhën në bulevardin “Basilissis Sofias” dhe në rrugët aty pranë.

Demonstratat e sotme në Athinë u shoqëruan nga një grevë mbarëkombëtare që ndërpreu jetën e përditshme në të gjithë Greqinë. Punëtorët në sektorë të shumtë ndaluan operacionet, fluturimet, transportin detar dhe tokësor si dhe detyruan bizneset të mbyllen. Teatrot gjithashtu anuluan shfaqjet si pjesë e lëvizjes protestuese.

Më 28 shkurt të vitit 2023, një tren pasagjerësh u përplas ballë për ballë me një tren mallrash pranë qytetit Tempi në jug të Greqisë dhe si pasojë humbën jetën 57 persona, përfshirë shumë studentë dhe nëntë anëtarët e ekuipazhit. Në raportin e përgatitur si rezultat i hetimeve për aksidenti, të publikuar dje, thuhet se aksidenti ka ndodhur për shkak të gabimit njerëzor, mungesës së personelit, vjetërsimit të infrastrukturës hekurudhore dhe trajnimit joadekuat.

Kategoritë
BotaLajme