Arabia Saudite ekzekuton një tjetër gazetar: Postimi i tij ishte profetik

Gazetari saudit Turki al-Jasser kishte shkruar në vitin 2014 në rrjetin social Twitter (X) këtë fjali: “Një shkrimtar arab mund të vritet lehtësisht nga qeveria e tij nën pretekstin e ‘sigurisë kombëtare’.” U dëshmua se ky postim ishte profetik.

Ministria e Punëve të Brendshme e Arabisë Saudite njoftoi të shtunën, më 14 qershor, se al-Jasser është ekzekutuar për “tradhti të lartë në komunikim dhe komplot me individë jashtë Mbretërisë kundër Mbretërisë”. Mendohet se ai ishte rreth 40 vjeç dhe ishte në burg për shtatë vite. Ekzekutimi, si në shumicën e rasteve atje, është kryer me shpatë.

Disidentë anonimë i thanë gazetës The Guardian se al-Jasser ishte torturuar gjatë qëndrimit të tij në burg. Ky është rasti i parë i vrasjes së një gazetari të njohur nga autoritetet saudite që nga vrasja e Jamal Khashoggit, kolumnistit të Washington Post dhe kritik të fuqishëm të princit të kurorës saudite Mohammed bin Salman, i cili u vra në vitin 2018 në konsullatën saudite në Stamboll.

Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, vendimi për vrasjen e Khashoggit nuk u mor nga një gjykatë, ndërsa shërbimet amerikane të inteligjencës kanë vlerësuar se bin Salman e kishte miratuar atë vrasje.

Megjithatë, rrethanat e vrasjes së Khashoggit dhe al-Jasserit, si dhe reagimi ndërkombëtar, ndryshojnë ndjeshëm. Shumica e disidentëve dhe ekspertëve që kanë ndjekur rastin e al-Jasserit besojnë se ai u arrestua në vitin 2018, pasi u identifikua si autor i një llogarie të njohur në Twitter, në të cilën akuzonte familjen mbretërore saudite për korrupsion dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Al-Jasser ishte themelues i blogut “Al-Mashhad Al-Saudi” (Skena Saudite), për të cilin organizata “Reporterë pa Kufij” thotë se trajtonte tema si të drejtat e grave dhe Palestina. Besohet se postimi i tij në Twitter e zemëroi regjimin dhe çoi në një përndjekje më të gjerë të disidentëve.

Abdullah Alaoudh nga Qendra për Demokraci në Lindjen e Mesme vuri në dukje se al-Jasser nuk e fshihte identitetin e tij dhe se komentet e tij për regjimin saudit ishin tepër satirike. Ai shtoi se autoritetet kanë besuar se një tjetër llogari anonime në Twitter përdorej prej tij për të rrëzuar qeverinë.

Qeveria saudite kishte fituar qasje te identitetet reale dhe adresat IP të mijëra llogarive anonime në Twitter. Ministria e Drejtësisë akuzoi dy ish-punonjës të Twitterit dhe një shtetas saudit për komplot. Disa prej tyre kishin ikur nga Arabia Saudite para arrestimit.

Princi i kurorës kishte premtuar më herët se do të ndryshonte ligjet që rregullojnë çështjen e ekzekutimeve. Megjithatë, juristët konfirmojnë se ai kishte mundësi ligjore të ndërhynte në rastin e al-Jasserit. Sipas ligjit saudit, çdo ekzekutim duhet të miratohet nga princi i kurorës ose nga mbreti, shkruan The Guardian.

 

Kategoritë
BotaLajme