Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar tri ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me procesin zgjedhor.
Eugen Cakolli nga “Demokracia në Veprim” ka deklaruar se në kuadër të ankesave të dorëzuara në PZAP, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar anulimin e tërësishëm të votimit jashtë vendit dhe përsëritjen e këtij procesi, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka bërë të ditur për Telegrafin se KQZ është njoftuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se në këtë institucion janë paraqitur tri ankesa nga një subjekt politik.
“KQZ është njoftuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se në këtë institucion janë paraqitur tri ankesa nga një subjekt politik. Andaj, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe eventualisht edhe të Gjykatës Supreme para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt 2025”, tha ai.
Ndryshe, sot Lëvizja Vetëvendosje sërish ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për manipulim të votave që kanë ardhur me postë nga mërgata.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë se kërkojnë hetim të plotë për të gjitha parregullsitë e raportuara në mënyrë që të sigurohet një proces zgjedhor i pastër, i drejtë dhe i ndershëm./Telegrafi/