Anija që transporton ndihma për Gazën, në të cilën ndodhen 12 aktivistë përfshirë aktivisten suedeze për klimën Greta Thunberg, ka arritur në brigjet egjiptiane dhe po i afrohet Rripit të Gazës.
Anija “Madleen”, që bën pjesë në Koalicionin “Flotilja e Lirisë”, u nis nga Sicilia javën e kaluar me një ngarkesë ndihmash, me qëllim që të thyejë bllokadën izraelite ndaj Gazës.
“Tani po lundrojmë përgjatë brigjeve të Egjiptit. Të gjithë jemi mirë”, deklaroi për AFP aktivistja gjermane për të drejtat e njeriut Yasemin Acar.
Grupi ka bërë të ditur se është në kontakt me organizata ndërkombëtare juridike dhe të të drejtave të njeriut për të siguruar sigurinë e personave në bord, duke paralajmëruar se çdo pengim i mundshëm do të përbënte “shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare humanitare”.
Gjatë udhëtimit të saj, “Madleen” ndryshoi kurs pranë ishullit grek Kretë, pasi mori një sinjal ndihme nga një anije me migrantë që po fundosej.
Aktivistët shpëtuan katër migrantë sudanezë që ishin hedhur në det për të shmangur kthimin në Libi. Ata më pas u transferuan në një anije të Frontex-it të BE-së.
Koalicioni “Flotilja e Lirisë”, i themeluar në vitin 2010, është një grup që kundërshton bllokimin e ndihmave humanitare për Gazën, i vendosur nga Izraeli më 2 mars.
Mbretëria e Bashkuar deri më tani ka refuzuar kërkesat izraelite për të ndaluar anijen, e cila lundron nën flamurin britanik, të hyjë në ujërat izraelite, ka deklaruar një zyrtar në Jerusalem për gazetën The Times of Israel.