Anglezët vazhdojnë traditën: Do të ketë pauza për iftar gjatë ndeshjeve në Ramazan

Premier Liga dhe Liga Angleze e Futbollit do të vazhdojnë traditën e tyre gjatë muajit të Ramazanit, duke lejuar ndërprerje të shkurtra të ndeshjeve në mënyrë që futbollistët e besimit islam të mund të prishin agjërimin, përkatësisht të iftarojnë.

Ramazani fillon këtë javë dhe do të zgjasë një muaj. Gjatë kësaj periudhe, myslimanët përmbahen nga ushqimi dhe pijet nga agimi deri në perëndim të diellit.

Duke qenë se perëndimi i diellit në Mbretërinë e Bashkuar gjatë kësaj kohe ndodh afërsisht midis orës 17:00 dhe 19:00, ndeshjet e vetme që mund të përfshijnë pauza janë ato të së shtunës me fillim në 17:30 dhe të së dielës me fillim në 16:30.

Si në vitet e mëparshme, kapitenët e skuadrave, në bashkëpunim me zyrtarët e ndeshjes, do të identifikojnë një moment të natyrshëm ndërprerjeje për t’u mundësuar lojtarëve ose zyrtarëve që agjërojnë të iftarojnë.

Loja nuk do të ndalet ndërkohë që topi është në lojë, por në momentin më të hershëm të përshtatshëm, si gjatë goditjes nga porta, goditjes së lirë ose rivënies së topit nga vija anësore.

Kategoritë
Sport