Sulmi ajror i Izraelit ndaj Iranit, i cili ka futur rajonin në një luftë që tashmë ka hyrë në javën e dytë, ka shkaktuar reagime të fuqishme në gjithë Lindjen e Mesme. Sipas një analize të publikuar nga portali Middle East Eye (MEE), edhe në Turqi është shtuar ndjenja e pasigurisë, me pyetjen që po shtrohet gjerësisht në publik: A është Turqia shënjestra e radhës në radarët e Izraelit?
Sipas MEE, edhe pse Irani ka qenë tradicionalisht rival i Turqisë, sulmi i papritur dhe i njëanshëm i Izraelit ka ndryshuar perceptimin. Turqia, si anëtare e NATO-s dhe pjesë e arkitekturës perëndimore të sigurisë, e ka përjetuar këtë sulm si një paralajmërim se edhe vetë mund të bëhet objekt sulmi në të ardhmen.
Kjo ndjesi u përforcua edhe nga deklaratat e Devlet Bahçelit, liderit të Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP) dhe aleatit të presidentit Erdoğan, i cili e cilësoi fushatën ushtarake izraelite si pjesë e një strategjie për të rrethuar Turqinë dhe për të minuar ndikimin e saj rajonal.
Incident në hapësirën ajrore turke
Një tjetër ngjarje që ka nxitur shqetësim ishte raportimi se disa avionë izraelitë kishin hyrë në hapësirën ajrore turke gjatë natës së sulmit ndaj Iranit. Reagimi i menjëhershëm nga Ankaraja bëri që avionët të tërhiqeshin, por siç thekson MEE, ndjesia e kërcënimit në Turqi është thelluar edhe më shumë.
Në përgjigje, zyrtarët e lartë turq kanë mbajtur dy raunde takimesh sigurie, ndërsa ushtria ka nisur analizën e taktikave ushtarake të përdorura nga Izraeli. Presidenti Erdoğan ka zhvilluar kontakte me liderë rajonalë, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, presidentin iranian Masoud Pezeshkian, si dhe udhëheqësit e Sirisë dhe Irakut, për të diskutuar zhvillimet dhe për të parandaluar përshkallëzimin.
Masat emergjente dhe frika nga një konflikt më i gjerë
Ankaraja ka hartuar plane emergjente, përfshirë masa ndaj një vale të mundshme refugjatësh, si dhe skenarë për ndërhyrje nëse konflikti zgjerohet. MEE shkruan se në tetor, qeveria turke ka rifilluar bisedimet edhe me liderin e burgosur të PKK-së, Abdullah Öcalan, për të shmangur që organizata të përdoret si mjet nga Izraeli apo Irani.
Në këtë kontekst, MEE kujton se Turqia është kthyer në një nga fuqitë më të rëndësishme të rajonit, dhe se SHBA kishte informuar paraprakisht Ankaranë për sulmin izraelit, çka tregon rolin qendror të Turqisë në baraspeshën rajonale.
Tensionet me Evropën dhe kanali i drejtpërdrejtë me Izraelin
Një tjetër burim pakënaqësie në Ankara është qëndrimi i vendeve evropiane, që sipas zyrtarëve turq kanë mbështetur automatikisht Izraelin, pavarësisht bisedimeve SHBA-Iran.
Megjithatë, raportet me Tel Avivin nuk janë ndërprerë. Turqia dhe Izraeli vazhdojnë të komunikojnë, pavarësisht qëndrimit të ashpër të Ankarasë ndaj luftës në Gaza. Një shembull konkret është vendosja e një linje direkte telefonike mes dy vendeve në prill, pas ndërmjetësimit të SHBA-së.
Në analizën e MEE theksohet se tema kryesore e mosmarrëveshjeve mbetet kontrolli i hapësirës ajrore në jug të Sirisë, ku Turqia planifikonte të vendoste baza radarike dhe sisteme mbrojtëse ajrore, ndërsa Izraeli i kundërshtonte ashpër ato.
Ankaraja, në përpjekje për të shmangur përplasjen, ka vonuar planet për të marrë kontrollin e bazave në Siri, duke i lënë Izraelit një “dritare kohe” për të vepruar ndaj Iranit. Zyrtarët turq kanë deklaruar se çështjet e hapësirës ajrore siriane duhet të zgjidhen mes Tel Avivit dhe Damaskut, jo me Ankaranë.
Në përfundim, Middle East Eye vlerëson se Turqia është në qendër të një loje të ndërlikuar rajonale, ku çdo veprim dhe mosveprim i saj mund të ndikojë direkt në balancat mes fuqive në Lindjen e Mesme.