Amerikanët në kontakt me Osmanin, a po e zbaton O’Brien porosinë që ia çoi Kurtit në shkurt?

Presidentja Vjosa Osmani dje ishte adresa ku amerikanët i drejtuan kërkesat që kanë për Kosovën. Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, dje e telefonoi Osmanin për të diskutuar mbi çështjen e dinarit dhe për Asociacionin. Të dy bashkëbiseduesit njoftuan për atë që folën dhe doli se ishin në një linjë. Gjatë muajit shkurt O’Brien kishte bërë një deklaratë të fortë duke thënë se SHBA s’do ta trajtojë Kurtin si partner, nëse edhe ai nuk e trajton SHBA’në si të tillë.

“Presidentja Osmani, ju jeni garantuesja kryesore e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet SHBA-së dhe Republikës së Kosovës”. Disa javë pasi emisari special i SHBA-së, Gabriel Escobar, ia dha këtë titull Presidentes Osmani, Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien, vendosi ta telefononte atë për të diskutuar çështjen e dinarit dhe atë të dialogut me Serbinë – një detyrë që ka përsipër Qeveria.

“Një bisedë e mirë me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani sot. Ne diskutuam rëndësinë e zbatimit të rregulloreve monetare në mënyrë që të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë komunitetin pakicë serb, si dhe që palët të përmbushin të gjitha zotimet e dialogut të BE-së – për Kosovën kjo përfshin Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha dje O’Brien pas bisedës me Osmanin.

Ndërkaq, Presidentja Osmani në njoftimin për këtë telefonatë e vuri theksin te rëndësia e aleancës me SHBA-në, si dhe tregoi që edhe aplikimi për anëtarësim në Këshill të Europës ishte temë e diskutimit gjithashtu.

“Një telefonatë produktive me Ndihmëssekretarin e Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien, sot. Theksova rëndësinë fundamentale të punës së përbashkët me aleatët tanë të SHBA-së në mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë. Ne diskutuam gjithashtu hapat e Kosovës për anëtarësimin në Këshill të Europës dhe zbatimin e plotë dhe të shpejtë të Marrëveshjes së Brukselit”, shkroi Osmani.

Pas ankesave të ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier dhe emisarit Gabriel Escobar, për sjelljen e Qeverisë Kurti dhe paralajmërimet mbi “kualitetin e partneritetit Kosovë-SHBA”, shefi i tyre ishte më i drejtpërdrejtë me Kryeministrin Albin Kurti pas mospajtimeve mbi çështjen e rregullores së BQK-së që përjashton nga përdorimi dinarin serb. O’Brien e tha prerë se nëse Kurti s’e trajton SHBA-në si partnere, as SHBA s’do ta trajtojë atë si të tillë.

“A [Kurti] i kuptoi shqetësimet, premtoi se do të punonte për to, por qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere. Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht… Unë do të thosha, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, kishte thënë O’Brien në një intervistë për Zërin e Amerikës gjatë muajit shkurt.

O’Brien s’ka komunikuar me Kurtin që nga kjo kohë.

“Kemi pasë disa biseda në periudhën para se të shpallej vendimi dhe një shkëmbim të shkurtë më pas”.

Çështja e dinarit nxiti edhe më shumë kërkesat e partnerëve të Kosovës për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe me arsyetimin se do të ishte një platformë edhe për adresimin e problematikave të tillë.

Ambasadori Hovenier ishte shprehur se “kjo çështje nënvizon sa urgjent është Asociacioni”.

“Ne besojmë se një Asociacion i Komunave me shumicë serbe nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv, duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, nuk duhet  të jetë një shtresë shtesë e qeverisë, por të ketë një rol të rëndësishëm për t’iu përgjigjur adresimit dhe avancimit të interesave të komunitetit serb në Kosovë. Mendoj se kjo çështje e fundit e nënvizon, përsëri, se sa urgjente është kjo, sepse një pjesë e kësaj ka të bëjë me pyetje që lidhen me mbështetjen e Serbisë për sistemin e kujdesit shëndetësor dhe sistemin arsimor”, kishte thënë Hovenier për RTV 21.

Sidoqoftë, Kryeministri Kurti vazhdon të ngulë këmbë që zbatimi i marrëveshjes së fundit me Serbinë të bëhet përmes sekuencimit të pikave përkundër që në kërkesat e ndërmjetësve Asociacioni potencohet si pika më urgjente për implementim.

Kategoritë
LajmeVendi