Amerikanët i kërcënojnë Francën dhe Britaninë e Madhe që të mos e njohin shtetin palestinez

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Britaninë e Madhe dhe Francën që të mos e njohin shtetin palestinez në një konferencë të Kombeve të Bashkuara që do të mbahet më vonë këtë muaj, raporton Middle East Eye.

Franca dhe Arabia Saudite do të jenë bashkë-organizatore të një konference të madhe të OKB-së për zgjidhjen me dy shtete, e cila fillon më 17 qershor në Nju Jork.

Franca raportohet se po përgatitet për njohje të njëanshme të shtetit palestinez gjatë konferencës. Sipas MEE, ajo ka lobuar që edhe Britania të ndërmarrë një hap të tillë. Zyrtarët francezë besojnë se qeveria britanike e mbështet këtë plan, sipas mediave franceze.

Megjithatë, Uashingtoni ka filluar t’i paralajmërojë privatisht Britaninë dhe Francën që të mos e njohin Palestinën njëanshëm, kanë thënë burime pranë Ministrisë së Jashtme britanike për MEE.

Në të njëjtën kohë, vendet arabe po i inkurajojnë ato që të vazhdojnë me këtë veprim, shtuan burimet.

Në fund të majit, shtetet anëtare të OKB-së mbajtën konsultime për përgatitjen e konferencës, gjatë së cilës Grupi Arab bëri thirrje për njohjen e shtetësisë palestineze.

Ky grup deklaroi se suksesi i konferencës do të matet me numrin e vendeve me peshë që e njohin Palestinën, sipas burimeve diplomatike britanike.

Në një reagim për këtë çështje, Ministria e Jashtme britanike e drejtoi MEE-në te deklarata e ministrit David Lammy nga 20 maji, ku ai konfirmonte mbështetjen për zgjidhjen me dy shtete. Lammy publikisht i është kundërvënë njohjes së njëanshme, duke thënë më herët këtë vit se Britania do ta njohë shtetin palestinez vetëm “kur të dijë se kjo gjë do të ndodhë realisht dhe është në horizont”.

Megjithatë, në fund të prillit Lammy për herë të parë pranoi se Britania po zhvillon bisedime me Francën dhe Arabinë Saudite për këtë temë.

“Nuk ka asnjë bazë legjitime që SHBA të ndërhyjë në një vendim sovran të Britanisë dhe Francës për njohjen e një shteti tjetër. Njohja franko-britanike do të nënkuptonte pranimin e të drejtës palestineze për shtetësi dhe të qenit palë e barabartë në të gjitha negociatat e ardhshme me Izraelin”, tha Chris Doyle, drejtor i Këshillit për Mirëkuptim Arabo-Britanik.

Nëse Franca dhe Britania e Madhe vazhdojnë me këtë hap, ato do të bëhen shtetet e para të G7-ës që njohin shtetin palestinez.

Alon Pinkas, këshilltar i katër ministrave izraelitë të jashtëm, tha për MEE se presioni nga presidenti francez Emmanuel Macron për ta njohur Palestinën është “serioz dhe ka mbështetjen e shumicës së Bashkimit Evropian dhe Arabisë Saudite”.

Ky veprim do të shkaktonte tronditje politike, pasi si Franca, ashtu edhe Britania janë aleatë historikë të rëndësishëm të Izraelit.

Javën e kaluar, ministri izraelit për çështje strategjike, Ron Dermer, paralajmëroi Britaninë dhe Francën se Izraeli mund të aneksojë pjesë të Bregut Perëndimor nëse njohin shtetin palestinez, sipas gazetës izraelite Haaretz.

MEE zbuloi më herët këtë muaj se Britania në vitin 2014 kishte vendosur në mënyrë jo publike që do të shqyrtonte njohjen e Palestinës nëse Izraeli vazhdon me projektin kontrovers të vendbanimeve E1.

Aktualisht, Izraeli është i gatshëm të ecë përpara me këtë plan të vendbanimeve, i cili do ta ndajë në dysh Bregun Perëndimor të pushtuar.

Ndërkohë, brenda Britanisë po rritet presioni i brendshëm.

“Starmer përballet me një nivel të lartë zemërimi brenda Partisë Laburiste dhe publikut britanik, madje edhe në qarqe që zakonisht mbështesin qeverinë izraelite,” deklaroi Doyle.

Disa deputetë i kanë thënë muajin e kaluar MEE-së se besojnë se Britania duhet ta njohë menjëherë shtetin palestinez.

Kategoritë
BotaLajme