Aktivisti nga anija drejt Gazës paralajmërojnë për ndërprerje të GPS: “Kjo do të thotë se po përgatiten për sulm”

Një anëtar i misionit të profilit të lartë që po lundron drejt Gazës për të sfiduar bllokadën izraelite ka deklaruar se Izraeli “po pengon komunikimin e tyre”, pasi GPS-i i tregoi për një moment se ndodheshin në aeroportin “Queen Alia” të Jordanisë – qindra kilometra larg nga pozicioni i tyre real në Detin Mesdhe.

“Sapo morëm një informacion shumë të çuditshëm: sipas pajisjes sonë të ndjekjes, nuk ndodhemi më 162 milje detare larg Gazës, por në një aeroport në Jordani,” tha aktivisti brazilian Thiago Avila, i cili ndodhet në bordin e anijes Madleen së bashku me Greta Thunberg.

Ai shtoi se pengimi i sinjaleve të GPS-it shpesh ndodh pak para një ndërhyrjeje ushtarake.

“E dimë çfarë do të thotë kjo: kur fillojnë të ndërhyjnë në komunikimin dhe pajisjet tona, do të thotë se po përgatiten për ta ndalur ose për ta sulmuar anijen,” theksoi Avila.

Përdoruesit e aplikacioneve të navigimit në Izrael kanë raportuar më parë raste kur GPS-i i tregonte se ndodheshin në Bejrut, Kajro apo Jordani – kjo si pjesë e përpjekjeve të ushtrisë izraelite (IDF) për të parandaluar sulme me dronë të cilët varen nga sinjali GPS.

Megjithatë, sipas Avilës dhe burimeve të tjera, është pak e mundur që pengimi i GPS-it të ndalojë anijen Madleen të afrohet me Rripin e Gazës.

Marina izraelite pritet ta ndalojë anijen përpara se të arrijë në bregdetin e Gazës. Ministri izraelit i mbrojtjes Israel Katz konfirmoi se i ka dhënë urdhër ushtrisë që ta ndalojë me çdo kusht hyrjen e anijes.

Në bord ndodhen gjithsej 12 aktivistë, përfshirë Greta Thunberg, Thiago Avila dhe Rima Hassan, eurodeputete francezo-palestineze. Ata po transportojnë ndihma humanitare urgjente për popullatën civile palestineze.

Kategoritë
BotaLajme