Agresioni izraelit përshkallëzohet në të gjithë Rripin e Gazës pavarësisht paralajmërimeve globale

“Ushtria pushtuese hedh poshtë të gjitha kërkesat ndërkombëtare dhe përshkallëzon agresionin në zona të ndryshme të Rripit të Gazës. Të gjitha zonat e Rripit të Gazës i janë nënshtruar një përshkallëzimi të qartë izraelit gjatë 24 orëve të fundit”

Zyra e mediave në Gaza ka bërë të ditur se agresioni izraelit në të gjithë Rripin e Gazës u përshkallëzua ndjeshëm në 24 orët e fundit pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare, transmeton Anadolu.

“Ushtria pushtuese (Izraeli) hedh poshtë të gjitha kërkesat ndërkombëtare dhe përshkallëzon agresionin në zona të ndryshme të Rripit të Gazës. Të gjitha zonat e Rripit të Gazës i janë nënshtruar një përshkallëzimi të qartë izraelit gjatë 24 orëve të fundit”, tha Salama Maarouf, kreu i zyrës për media në Gaza.

Ai tha se mjetet uhstarake izraelite vazhduan “inkursionin e tyre në lindje të qytetit Rafah, në qytetet Khan Younis, Nuseira, Al Mughraqa dhe në lagjen Zaytoun në Qytetin Gaza, e cila ka qenë dëshmitare e inkursioneve ushtarake për dy ditë, si dhe në periferitë Beit Lahia dhe Beit Hanoun”.

Maarouf theksoi se ky përshkallëzim vjen në mes të operacioneve të pritshme ushtarake izraelite në Rafah dhe përkon me paralajmërimet e vazhdueshme ndërkombëtare kundër çdo agresioni në Rafah dhe pasojat e tij humanitare.

Të enjten, ushtria izraelite filloi një operacion ushtarak në lagjen Zaytoun.

Që nga e hëna, forcat izraelite kanë vazhduar sulmet e tyre ushtarake në zonat lindore të qytetit Rafah në Rripin e Gazës jugore, duke çuar në zhvendosjen e më shumë se 100 mijë palestinezëve nga këto zona në pjesën jugperëndimore të enklavës.

Izraeli ka vrarë të paktën 34.900 palestinezë dhe ka plagosur 78.500 të tjerë në ofensivën brutale ndaj Rripit të Gazës pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023.

Mbi shtatë muaj të luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha, duke çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar tha se “besohet” se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, si dhe urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e tilla dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Kategoritë
BotaLajme