Ademi: Kosova nuk është vatër e prodhimit të drogave, por vend tranzit i krimit transnacional

Mesut Ademi, profesor i kriminalistikës, ka folur lidhur me operacionin e djeshëm policor “Qielli i thyer”, ku janë arrestuar 22 persona gjatë një bastisjeje në 47 lokacione të ndryshme në Kosovë kundër krimit të organizuar, trafikimit me narkotikë dhe pastrimit të parave.

Ademi ka thënë se Kosova nuk është vatër e përpunimit dhe paketimit të drogave.

Ai ka theksuar se Republika e Kosovës përdoret si vend tranzit.

Sipas statistikave dhe të dhënave zyrtare, Ademi ka deklaruar se në Kosovë abuzimi kryesisht bëhet me llojin marihuanë të drogës, por jo me droga më të rënda.

“Ajo çka është më rrezik në Republikën e Kosovës është droga nga laboratori, shumë lehtë e gjendshme dhe me kosto shumë më të lirë për abuzim”, ka thënë ai, për RTV Dukagjini.

Tutje, Ademi ka theksuar se vendi ynë ka kaluar në një stad tjetër të organizimit të grupeve kriminale.

“Nuk kemi më grupe të krimit të organizuar në aspektin nacional apo atë regjional, por kemi kaluar në kombinimin apo bashkëpunimin e grupeve transnacionale, e kjo, sipas meje, është rreziku më i madh,” ka deklaruar ai.

Sipas tij, kapja, arrestimi dhe parandalimi u shkakton dëm në njëfarë mënyre edhe grupeve të trafikut transnacional.

“Rreziku është që tash e tutje do të rrezikohen institucionet tona – do të rrezikohet policia, prokuroria dhe gjykatat,” është shprehur ai.

Profesori i kriminalistikës ka thënë se personat ose grupet kriminale në vend tashmë nuk janë vetëm transportues të drogave, por janë blerës, shitës, koordinues dhe bartës të transportit. /Dukagjini/

Kategoritë
LajmeVendi