A e keni dëgjuar për teorinë “Pentagon pizza”? U rikthye në qendër të vëmendjes për shkak të luftës mes Iranit dhe Izraelit

Në Uashington qarkullon prej dekadash një teori e njohur si “Pentagon pizza”, e cila thotë se përmes vëzhgimit të aktivitetit në piceritë dhe restorantet pranë selisë së Pentagonit – mund të parashikohen ngjarje të mëdha ndërkombëtare.

Sipas kësaj teorie, një rritje e pazakontë e porosive për picë në orët e vona, veçanërisht në restorantet përreth Pentagonit, është shenjë se “diçka e madhe” po ndodh brenda Ministrisë së Mbrojtjes.

Kjo teori është bërë sërish virale në rrjetet sociale, veçanërisht pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit më 12 qershor. Po atë mbrëmje, një faqe në rrjetin X (ish-Twitter) me emrin “Pentagon Pizza Report” raportoi se të gjitha piceritë afër Pentagonit kishin një rritje të jashtëzakonshme të aktivitetit rreth orës 19:00, përpara se të bëhej publik sulmi ajror ndaj Iranit.

Origjina e teorisë shkon pas në periudhën e Luftës së Ftohtë, kur shërbimet sovjetike të inteligjencës vëzhgonin shpërndarjen e picave për të kuptuar nëse po ndodhnin lëvizje të pazakonta që tregonin për ndonjë krizë të afërt.

Rasti më i njohur ndodhi më 1 gusht 1990, kur Frank Meeks, pronar i Domino’s në Washington, vuri re një rritje të menjëhershme të porosive drejt godinave të CIA-s. Vetëm pak orë më vonë ndodhi pushtimi i Kuvajtit nga Iraku, që nisi Luftën e Gjirit.

Meeks tha për Los Angeles Times se diçka e ngjashme kishte ndodhur edhe në dhjetor të vitit 1998, gjatë procesit të shkarkimit të presidentit Bill Clinton – një tjetër periudhë me tension politik të lartë.

Megjithatë, zyrtarët e Pentagonit kanë hedhur poshtë vazhdimisht këtë teori, duke theksuar se stafi i Pentagonit ka shumë opsione ushqimi brenda vetë ndërtesës, përfshirë picë, sushi, sanduiçe, krofne dhe kafe.

Një zëdhënës i Pentagonit deklaroi për Newsweek se “ekzistojnë shumë mundësi për picë brenda ndërtesës” dhe se porositë nga jashtë nuk janë një tregues real për operacione të brendshme.

Pavarësisht mohimeve zyrtare, entuziazmi për teorinë “Pentagon pizza” vazhdon, sidomos në periudha tensionesh ndërkombëtare, si ajo aktuale midis Izraelit dhe Iranit.

Kategoritë
BotaLajme