A e dini çfarë është “autopen” – mjeti që Trump e quan “skandali më i madh politik në historinë e Amerikës”?

Presidenti amerikan Donald Trump ka shënjestruar një temë të re, duke kërkuar nga bashkëpunëtorët e tij që të hetojnë përdorimin e të ashtuquajturës pajisje “autopen” nga paraardhësi i tij Joe Biden gjatë ditëve të fundit të mandatit të tij të parë.

Në rrjetin e tij social Truth Social, Trump e ka cilësuar këtë si “skandali më i madh politik në historinë e SHBA-ve”, duke pretenduar se faljet presidenciale që Biden ka dhënë janë “të paligjshme”, meqë – sipas tij – nuk janë nënshkruar me dorë, por me autopen. Ai, megjithatë, ka injoruar faktin se kjo pajisje është përdorur në SHBA që nga shekulli XIX.

Çfarë është “autopen”?

Autopen, i njohur edhe si stilolaps robotik, është një makinë që automatikisht riprodhon nënshkrimin e një personi me një mjet shkrimi, ndryshe nga nënshkrimi dixhital që është imazh grafik.
Këto pajisje përdoren zakonisht për dokumente, letra, certifikata, diploma dhe shkresa të tjera zyrtare, kur kërkohet shumëfishimi i një nënshkrimi të njëjtë.

Një nga modelet e njohura, Ghostwriter, funksionon me kartë të mençur ose USB për të ruajtur nënshkrimin dhe frazat që mund të shtypen automatikisht në letër. Mund të përdorë çdo mjet shkrimi – nga lapsa dhe stilolapsa deri te ngjyrosësit – dhe shkruan mbi lloje të ndryshme materialesh.

Sipas faqeve të shitjes, një pajisje autopen e nivelit të lartë – si ato që përdorin agjencitë qeveritare – kushton nga 5.000 deri në 20.000 dollarë.

Kush e solli “autopen”-in në Shtëpinë e Bardhë?

Autopen-i është prezantuar për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë në fillim të shekullit XIX, pas patentimit të saj.
Presidenti Thomas Jefferson e bleu një të tillë në vitin 1803, pak muaj pasi doli në treg, dhe e solli në Zyrën Ovale.

Që nga ajo kohë, shumë presidentë amerikanë kanë përdorur këtë pajisje, përfshirë Lyndon B. Johnson, i cili madje lejoi që makina të fotografohej nga media, duke u bërë subjekt i artikullit “Roboti që zëvendëson presidentin” në revistën National Enquirer.

Pajisjen e kanë përdorur edhe Gerald Ford, George W. Bush, madje edhe vetë Trump, i cili së fundmi pranoi se e kishte përdorur autopen-in për “letra të parëndësishme”.

Në vitin 2005, George W. Bush pyeti Departamentin e Drejtësisë nëse përdorimi i autopen-it ishte në përputhje me Kushtetutën. Përgjigjja ishte:

“Presidenti nuk është i detyruar të nënshkruajë personalisht një projektligj që ai dëshiron të kthejë në ligj.”

Përse Trump kërkon hetim?

Pavarësisht këtij opinion juridik, Trump ka kërkuar hetim mbi përdorimin e autopen-it nga Biden, duke shpresuar se do të arrijë të anulojë faljet që ai i ka dhënë kundërshtarëve politikë të Trump-it.

Kjo lëvizje shihet nga analistët si një përpjekje tjetër për të sfiduar legjitimitetin e vendimeve të marra nga paraardhësi i tij dhe për të forcuar narrativën e tij në prag të zgjedhjeve.

Kategoritë
BotaLajme