Qytetarët e New Yorkut do të shkojnë në zgjedhje të martën për të votuar në zgjedhjet paraprake që pritet të përcaktojnë kryetarin e ardhshëm të bashkisë – me ndikim të madh në të ardhmen e Partisë Demokratike.
Gara përballë vë dy kandidatë demokratë me profile krejtësisht të ndryshme: Zohran Mamdani, 33-vjeçar, demokrat socialist i mbështetur nga krahu progresist i partisë, dhe Andrew Cuomo, ish-guvernator i New Yorkut, i mbështetur nga qendra e partisë dhe donatorë miliarderë.
Cuomo, i cili dha dorëheqje në vitin 2021 pas akuzave për ngacmim seksual nga mbi dhjetë gra, ishte favorit më herët këtë vit. Por Mamdani, me një ngritje të rrufeshme në sondazhe, mund të përfitojë nga sistemi i votimit të renditur sipas preferencave që aplikohet në zgjedhjet paraprake në qytet.
Sipas një sondazhi të publikuar të hënën, Mamdani del fitues pas disa raundesh numërimi të votave. Ai ka marrë mbështetje të fuqishme nga të rinjtë: 60% e votuesve të moshës 18–34 vjeç e kanë renditur të parin, përkundër vetëm 10% për Cuomon.
Kandidat progresist me mesazh të qartë
Mamdani, mysliman dhe shtetas i natyralizuar amerikan që nga viti 2018, ka ndërtuar fushatën e tij mbi premtime si ng zamrri i qirave dhe transport publik falas në autobusë. Ai ka marrë mbështetje nga figura të njohura si Alexandria Ocasio-Cortez dhe Bernie Sanders, ndërsa pjesëmarrja në mitingjet e tij ka qenë masive.
Ndërkohë, Cuomo ka qëndruar jashtë vëmendjes publike, duke shmangur takimet masive dhe u fokusuar në ngjarje të vogla të kontrolluara. Fushata e tij – e mbështetur nga donatorë të pasur, përfshirë edhe republikanë – është fokusuar pothuajse tërësisht në sulme ndaj Mamdanit, duke shpenzuar miliona dollarë për reklama dhe postime propagandistike.
Besimi dhe origjina në shënjestër
Fakti që Mamdani është mysliman është përdorur nga kundërshtarët e tij politikë si armë në një fushatë shumë të ashpër. Megjithatë, ky fakt duket se ka pasur pak ndikim negativ në mesin e elektoratit progresist dhe të ri.
Kush fiton parapraket, ka gjasa të fitojë zgjedhjet
Edhe pse fitorja në parapraket nuk garanton automatikisht postin e kryebashkiakut, në një qytet ku demokratët dominojnë mbi republikanët me numra të mëdhenj, ajo është praktikisht një bilete drejt postit.
Kryetari aktual Eric Adams, që këtë vit kandidon si i pavarur, gëzon pak mbështetje për shkak të akuzave për korrupsion dhe lidhje me donacione të huaja – megjithëse këto akuza u rrëzuan në prill, pas ndërhyrjes së administratës Trump.
Nëse Mamdani fiton, ai mund të bëhet kryebashkiaku i parë mysliman në historinë e New Yorkut – një ngjarje historike me jehonë përtej qytetit.