A do të bëhet Tesla e kuqe simboli i ndarjes: Trump mendon ta heqë qafe veturën që e bleu për shkak të Muskut

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, po shqyrton mundësinë që ta **shesë ose ta dhurojë veturën elektrike Tesla të kuqe**, të cilën e kishte blerë më herët këtë vit me ndihmën direkte të Elon Muskut. Lajmi është konfirmuar nga një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë për *Wall Street Journal*.

Trump bleu veturën – e cila kushton rreth 80.000 dollarë, pa asnjë zbritje – në prani të vetë Muskut, përpara Shtëpisë së Bardhë, si shenjë mbështetjeje për kompaninë e tij, e cila në atë kohë ishte nën kritika për shkak të afërsisë së Muskut me politikën e Trumpit.

Në atë kohë, Trump deklaroi:  “E bleva këtë veturë sepse është një produkt i shkëlqyer dhe sepse mendoj se Elon Musk është trajtuar në mënyrë shumë të padrejtë. Ai ia ka kushtuar jetën dhe energjinë këtij vizioni.”

Nga përkrahje në konflikt

Marrëdhëniet mes Trumpit dhe Muskut, dikur të mbushura me respekt të ndërsjellë, **u përkeqësuan papritur**. Shkak u bë i ashtuquajturi “ligji i madh dhe i bukur i buxhetit” i Trumpit, të cilin Musk e quajti një **“turp të neveritshëm”. Trump më pas tha se ishte “i zhgënjyer” nga Musk dhe se nuk e kuptonte sjelljen e tij të papritur.

Musk u përgjigj në rrjetin X duke pohuar se asnjëherë nuk e kishte parë atë ligj dhe se  Trump nuk do të kishte fituar zgjedhjet pa ndihmën e tij.

Dosjet e Epstein-it dhe kërcënimet për deportim

Konflikti u përshkallëzua më tej kur Musk deklaroi se ,emri i Trumpit ndodhej në dosjet e pedofilit Jeffrey Epstein, duke sugjeruar se kjo ishte arsyeja pse ato dokumente nuk janë publikuar kurrë.

Në reagim, ish-këshilltari i Trumpit Steve Bannon propozoi që Musk – i lindur në Afrikën e Jugut – të  deportohej si imigrant i paligjshëm.

Edhe Rusia përfshihet

Në këtë përplasje u përfshi edhe Rusia – zëvendëskryetari i Dumës, Dmitrij Novikov, deklaroi se Rusia do të ishte e gatshme të ofronte azil politik për Muskun nëse ai do ta kërkonte. Ndërkohë, Dmitrij Medvedev u ofrua me ironi si ndërmjetës për paqe mes Muskut dhe Trumpit –në këmbim të aksioneve të Starlinkut.

 

Kategoritë
BotaLajme