5000 ushtarë flenë jashtë pasi u larguan nga Kapitoli, “Na falënderuan që i mbrojtëm, më pas na përzunë”

Mijëra pjesëtarë të Gardës Kombëtare u detyruan që të flenë në qiell të hapur dhe në parking, pasi iu tha se duhej të largoheshin nga ndërtesa e Kapitolit, të cilën e kishin mbrojtur 24 orë më parë.

Sipas “Politico”, rreth 5000 trupa kaluan natën në parking, ku kishte vetëm një tualet. Fotot tregojnë pjesëtarët e Gardës duke fjetur në tokë, në temperatura të ulëta.

Mësohet se ushtarët kishin dhoma hoteli në dispozicion, por llogaritja e turneve të tyre e bënte të vështirë kthimin nëpër dhoma gjatë pushimit. Mesnatën e së enjtes, Garda u pranua sërish brenda Kapitolit, pasi fotot e publikuara bënë që të shpërthenin polemika.

Një ushtar u shpreh se u ndje i tradhtuar kur u detyrua që të shkonte në parking: “Dje, senatorë e kongresmenë erdhën mes nesh dhe na dhanë dorën, na falënderuan për shërbimin dhe bënë foto me ne. Pas 24 orëve, nuk u duheshim më dhe na çuan në cep të garazhit”, raporton A2.

Një tjetër ushtar tha për CNN se “Pasi çdo gjë shkoi mirë, u konsideruam të padobishëm dhe na përzunë në parking. Lamë dy javë familjet dhe ja ku përfunduam. Nuk bëhet kështu”.

Një zëdhënës i Gardës tha se “rritja e trafikut” për faktin se Kongresi ishte në punë, çoi në vendimin për të larguar trupat drejt vendpushimit të tyre.

Kategoritë
BotaLajme