50 emigrantë për një vit, Qeveria e Kosovës e gatshme të pranojë kërkesën e Amerikës

Qeveria në detyrë ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta në Kosovë.

Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu.

“Në përgjigje të kërkesës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta, ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në trajtimin e kësaj çështjeje, në përputhje me kushtet e përcaktuara”, ka thënë Kryeziu.

Ai ka shtuar se përgjatë një periudhe njëvjeçare, deri në pesëdhjetë persona mund të zhvendosen përkohësisht, me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes.

“Qeveria ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet, me mundësinë për të përzgjedhur individë nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik”, tha Kryeziu duke shtuar se më shumë informacione do të mund të japin në ndërkohë.

Kryeziu theksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten një aleat i palëkundur i Republikës së Kosovës.

“Partneriteti ynë i ndërsjellë, i ndërtuar ndër dekada, mbështetet në vlera të përbashkëta dhe bashkëpunim. E vlerësojmë lart mbështetjen e tyre, sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit në institucionet euroatlantike”, u shpreh zëdhënësi i Qeverisë në detyrë.

Kujtojmë se Qeveria në detyrë, është shprehur e gatshme të diskutojë edhe me Mbretërinë e Bashkuar për ngritjen e “qendrave të kthimit” në Kosovë për azilkërkuesit e refuzuar nga ishulli britanik.

Kosova ka treguar gatishmërinë për të arritur marrëveshje ndërkombëtare për të pranuar emigrantët e padëshiruar të Evropës.

Në vitin 2021, ajo ra dakord për një marrëveshje prej 200 milionë eurosh me Danimarkën për të pranuar 300 të burgosur të huaj, të cilët do të vuajnë pjesën tjetër të dënimit të tyre në Kosovë deri sa të deportohen në vendet e tyre të origjinës — edhe pse kjo marrëveshje nuk është zbatuar ende./Telegrafi/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi