1 Maji përtej simbolikës: Angazhimi për të drejtat e punëtorëve në Kosovë

Shkruan: Jyxhel Spahi

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, e njohur si 1 Maji, është një ditë e rëndësishme që njihet dhe si festë zyrtar për punëtorët në shumë vende, përfshirë edhe Kosovën. Përveçse është një festë zyrtare, 1 Maji shërben edhe si simbol i përpjekjeve për të drejta më të mira pune dhe kushte më dinjitoze për të gjithë punëtorët. Arsyeja e festimit të kësaj dite është vlerësimi dhe nderimi i kontributit të punëtorëve. Po ashtu është një ditë që kujton përpjekjen  për të kuptuar më mirë rolin e tyre që të kontribuojnë në prosperitetin ekonomik dhe social, por mbi të gjitha mund të konsiderohet si luftë për të siguruar të drejtat e tyre si punëtor. Kjo festë në shumë vende të botës kremtohet me tubime, aktivitete e parada që synojnë të rikujtojnë rëndësinë e angazhimit të tyre në tregun e punës. Ndër tjera, kjo ditë është një mundësi për të rikujtuar të kaluarën e tyre si punëtor dhe sfidat eventuale të së ardhmes.

1 Maji është po ashtu festë zyrtare dhe ditë pushimi edhe në kalendarin e Republikës së Kosovës, megjithatë për ironi, nga pushimi për këtë festë, përfitojnë vetëm një pakicë punëtorësh, kryesisht ata të sektorit publik, ndërsa shumica dërmuese vazhdojnë punën e vet si çdo ditë tjetër. Pavarësisht ligjeve në fuqi, vërejmë se të drejtat e punëtorëve vazhdimisht shkelen. Nëse hidhet një vështrim më i afërt në ligjin e punës, duket se ai mund t ҆ u garantonte punëtorëve një status më të mirë se sa ajo që duket në praktikë.

Ligji i Punës i Republikës së Kosovës parasheh standarde të qarta, që kanë si qëllim kryesor mbrojtjen e të drejtave të punonjësve.Për fat të keq, mos zbatimi i ligjeve, së bashku me mungesën e mekanizmave adekuatë të kontrollit, çon në një mjedis të përshtatshëm për shkelje të shumta. Nga ana tjetër, numri i kufizuar i inspektorëve të punës (sipas Institutit GAP) për të mbikëqyrur bizneset dhe për të garantuar zbatimin e ligjit, mbetet një pengesë serioze, duke i vënë punëtorët në një pozitë të pafavorshme. Si pasojë e kësaj gjendjeje të vazhdueshme, punëtorët në Kosovë shpesh përballen me orë të gjata pune, kushte të papërshtatshme dhe të pasigurta, si dhe paga të ulëta që shpërfillin dinjitetin njerëzor, duke u shndërruar në një problem kronik për shoqërinë kosovare.

Kjo situatë pasqyrohet edhe në një raport të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), i cili vë në dukje shkeljen e të drejtave themelore të punëtorëve. Këto shkelje krysisht lidhen nga “mosdhënia e pagës në kohë, privimi nga pushimi javor, vjetor e mjekësor, mospagesa e kontributeve pensionale nga punëdhënësi, (…) largimet nga puna pa paralajmërim, orari i zgjatur i punës pa ndonjë kompensim etj” (KDI, 2020). Nga ana tjetër, një studim mbi nëpunësit e sektorit privat në Kosovë ka evidentuar fenomenin e “heshtjes së nëpunësve“, i cili rezulton nga presione dhe shantazhe të ndryshme të ushtruara nga punëdhënësit apo pronarët e ndërmarrjeve (Spahi dhe të tjerët, 2024), që po ashtu duket se shkelen të drejtat e tyre themelore.

Përkundër gjendjes së keqësuar të punëtorëve në sektorin privat, ende mungon një organizim sindikal që do të kontribuonte në mbrojtjen e të drejtave të të punësuarve në Kosovë, edhe pse ligji parashikon krijimin e sindikatave me synimin për të rregulluar dhe definuar qartë të drejtat e punëtorëve. Falë fuqisë së tyre ligjore, sindikatat do të mund të mbronin anëtarët përmes grevave dhe formave të tjera të ligjshme dhe madje të ndalojnë veprimtarinë e një ndërmarrjeje, nëse të drejtat e punëtorëve nuk respektohen.

Punëtorët, si shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës, shpesh mbeten të pambrojtur, madje dhe të keqpërdorur, duke u privuar nga të drejtat e tyre themelore. Është thelbësore të ndërmerren masa konkrete nga institucionet përgjegjëse për të siguruar që të drejtat e punëtorëve të mos mbeten vetëm fjalë në letër. Po ashtu, është e domosdoshme të rritet numri i inspektimeve, dënime më të ashpra për shkelësit e ligjit dhe të krijohen mekanizma që kontribuojnë për mbrojtjen e punëtorëve që raportojnë keqpërdorimet.

Thënë ndryshe,1 Maji, festohet me aktivitete të nduarduarshme në të gjithë botën. Sindikatat, organizatat e shoqërisë civile dhe mbrojtësit e të drejtave të punës e shohin këtë ditë si një mundësi për të kujtuar, përmirësuar dhe mbrojtur të drejtat e punëtorëve. Gjithashtu edhe ne, në këtë festë të 1 Majit, duhet të ngremë zërin për të kërkuar respektimin e plotë të të drejtave tona. Punëtorët e Kosovës meritojnë kushte të mira pune, paga dinjitoze dhe një mjedis të sigurt pune. Mund të themi se është koha për të ndryshuar realitetin dhe për të ndërtuar një shoqëri ku puna vlerësohet dhe punëtorët respektohen siç e meritojnë. Vetëm kështu mund të ecim përpara drejt një të ardhmeje më të dinjitetshme dhe më prosperuese për të gjithë.


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONE