Kriza në Grupin e Vishegradit: përplasje e ashpër mes Tuskut dhe Orbanit

Marrëdhëniet brenda Grupit të Višegradit (V4) – që përfshin Poloninë, Hungarinë, Çekinë dhe Sllovakinë – po përkeqësohen gjithnjë e më shumë, pas një përplasjeje të re publike mes kryeministrit hungarez Viktor Orbán dhe kryeministrit polak Donald Tusk.

Orban akuzon Tuskun për “propagandë lufte” dhe “nënshtrim ndaj Brukselit”

Në një reagim në rrjetin X (ish-Twitter), Viktor Orbán tha se Tusk ka nisur “një tjetër sulm ndaj Hungarisë” për të fshehur problemet e brendshme të Polonisë.

“Partia e tij humbi zgjedhjet presidenciale, qeveria është e paqëndrueshme dhe ai po bie në sondazhe. Së bashku me Manfred Weberin është bërë një nga nxitësit më të mëdhenj të luftës në Evropë – por politika e tij e luftës po dështon: Ukrainës po i mbarojnë fondet evropiane, ndërsa populli polak është lodhur nga lufta”, shkroi Orban.

Kryeministri hungarez shtoi se Tusk “e ka kthyer Poloninë në vasale të Brukselit” dhe se tani po “ndëshkon kundërshtarët politikë për të fshehur dështimet e veta”.

“Hungaria ndjek një rrugë tjetër – rrugën e paqes. Populli hungarez nuk do të bëhet vasal i Brukselit. Miqësia historike midis Hungarisë dhe Polonisë meriton më shumë. Zoti Tusk duhet të kujdeset për punët e veta,” përfundoi Orban.

Tusk: “Orban e ka shndërruar pushtetin në mjet për kontroll absolut”

Nga ana tjetër, Donald Tusk e akuzoi Viktor Orbanin për qëndrim proruso dhe për shkelje të parimeve të shtetit të së drejtës në Hungari. Ai theksoi se për Orbanin “pushteti është një mjet për të siguruar që askush të mos kontrollojë veprimet e qeverisë”.

Tusk gjithashtu vuri në dukje kontrastin historik mes dy vendeve:

“Në vitin 1989, Hungaria ishte shumë më përpara se Polonia. Sot është vendi më i varfër në Bashkimin Evropian,” deklaroi ai, duke shtuar se rruga e zgjedhur nga Orban e ka izoluar Hungarinë nga partnerët e saj evropianë.

Analistët: Fundi i unitetit politik në V4

Sipas vëzhguesve politikë, përplasja e fundit midis Budapestit dhe Varshavës tregon shpërbërjen e unitetit tradicional të Grupit të Višegradit, i cili dikur përfaqësonte një bosht të fuqishëm të Evropës Qendrore në politikën e BE-së.
Tensionet mbi luftën në Ukrainë, marrëdhëniet me Brukselin dhe qëndrimet ndaj Rusisë kanë bërë që ky bllok rajonal të humbasë ndikimin e dikurshëm.

Kategoritë
BotaLajme